Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi ka falenderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për solidarizimin me situatën e rëndë që po kalon Italia për shkak të COVID-19, duke dërguar 30 mjekë e infermierë në Breshia, në një nga zonat më të prekura nga koronavirusi.
Ish-kryeministri Berlusconi shprehet se marrëdhënia mes dy vendeve është historike. Ai nënvizon se Shqipëria është një vend i vogël, por me një histori dhe traditë të madhe dhe me një qytetërim antik.
“E njoh kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe kam vlerësuar shumë gjestin dhe fjalët fisnike kundrejt Italisë. Shqipëria është një komb i vogël, por është një tokë me tradita të mëdha dhe me një qytetërim antik, me të cilin vendi ynë ka një marrëdhënie historike, që gjatë qeverisjes sime, kam bërë gjithçka për ta konsoliduar”, – u shpreh Berlusconi. /atsh