Kriza në rritje e shkaktuar nga COVID-19 kërcënon të godasë në mënyrë disproporcionale vendet në zhvillim, jo vetëm si një krizë shëndetësore afatshkurtër, por dhe si një krizë rrënuese sociale dhe ekonomike, gjatë muajve dhe viteve në vijim.
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara PNUD në një njoftim për shtyp shprehet se, kjo pandemi është një krizë shëndetësore, por jo vetëm një krizë shëndetësore. “Pandemia do të lërë plagë vërtetë të thella në shumë vende anembanë botës”, vuri në dukje Achim Steiner, administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
“Pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, rrezikojmë një përmbysje masive të gjithë arritjeve të dy dekadave të fundit, një gjeneratë të tërë të humbur, nëse jo në jetë, në të drejta, mundësi dhe dinjitet.”
Duke punuar në koordinim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH), UNDP po ndihmon vendet të luftojnë COVID-19, duke u përqendruar veçanërisht tek më të cenuarit.
Ka nisur aktivitetin tashmë një Strukturë për Reagim të Shpejtë (Rapid Response Facility) që drejtohet nga UNDP, e financuar nga burimet ekzistuese të cilave fillimisht iu janë shtuar edhe 20 milionë USD. Kjo strukturë është duke shpërndarë shumën përmes një mekanizmi të shpejtë, duke iu mundësuar ekipeve të UNDP-së të ofrojnë ndihmë të menjëhershme shteteve për reagim në nivel vendi. UNDP parashikon një nevojë minimale prej 500 milionë USD për të mbështetur 100 vende, citon njoftimi i PNUD.
UNDP i ka bërë një thirrje për veprim komunitetit ndërkombëtar që të mendojë përtej ndikimit të menjëhershëm të COVID-19. Organizata ka theksuar nevojën për tri veprime prioritare: burime për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së virusit, mbështetje gjatë periudhës së shpërthimit dhe burime për të parandaluar kolapsin ekonomik të vendeve në zhvillim.
UNDP do të mbështesë vendet për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të siguruar mbrojtje sociale për popullatat në nevojë duke promovuar një qasje e cila përfshinë qeverinë dhe shoqërinë në tërësi për të kontribuar përpjekjet në sektorin e shëndetësisë.
Në planin afatgjatë, UNDP do të punojë me shtetet për të vlerësuar pasojat sociale dhe ekonomike të COVID-19 dhe të marrë masa urgjente rimëkëmbëse për të minimizuar ndikimin afatgjatë, veçanërisht për grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara, dhe për të ndihmuar shoqëritë të përballen më mirë.
“Lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe pasojave të tij do të kërkojnë partnerë që mund të punojnë në sisteme dhe sektorë të ndryshëm dhe në kontekste që janë edhe komplekse, edhe të pasigurta, UNDP ka vite e vite përvojë në vijën e parë të betejës – ajo është krijuar për të qenë e tillë.
I pranishëm në 170 vende dhe territore UNDP është përqendruar në reagimin ndaj COVID-19, duke mobilizuar të gjitha burimet në dispozicion për t’iu përgjigjur kësaj sfide të pamenduar më parë”, përfundon njoftimi i PNUD.//atsh