Në Itali vijon të rëndohet bilanci i viktimave për shkak të pandemisë së COVID-19. Tashmë numri i viktimave ka shkuar në 10.779 të vdekur, me një rritje gjatë 24 orëve të fundit prej 756.
Të shtunën numri i viktimave ishte 889.
Personat e shëruar janë 13.030, 646 më shumë sesa të shtunën. Të dhënat u bënë të ditura nga kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli.
Sipas tij, në total janë 73.880 të sëmurë me koronavirus në Itali, me një rritje krahasuar me dje prej 3.815. të shtunën rritja e këtij numri ishte 3.651.
Numri total i të infektuarve – përfshirë viktimat dhe të shëruarit – ka arritur në 97.689.
Shifrat e fundit nga Departamenti i Mbrojtjes Civile të Italisë treguan se shkalla e vdekjeve ditore dhe rritja e numrit të të infektuarve kanë vazhduar të ngadalësohen krahasuar me ditët e mëparshme.
Numri i rasteve është rritur me 5%, duke arritur në 73 880, e njëjta përqindje me një ditë më parë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 13 030.
Epiqendra e pandemisë në Itali ende mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili numëron 6 360 viktima.
Ekspertët italianë thonë se vendi nuk ka arritur akoma kulmin e infektimeve, por po fillon të afrohet. /atsh