Loading...

Kryebashkiaku Leli për ATSH-në: Ndihma për rreth 1500 familje në nevojë, në këtë luftë të bëhemi të gjithë palë

Rreth 1500 familje në nevojë në bashkinë e Vlorës do të përfitojnë ndihma për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha sot për ATSH-në se “që në ditët e para kemi ndarë rreth 300 ndihma, falë mbështetjes së donatorëve. Nga dje, ka filluar një aksion humanitar i bashkisë me të gjithë stafin, ku do të shpërndahen ndihma në 1500 familje, të cilat janë evidentuar si më problematike nga bashkia”.

Sipas Lelit, kjo është një pandemi që ka gjunjëzuar njerëzimin.

“Pjesa më e rëndësishme ka qenë përballja me problematikat e higjienës, dezinfektimi i hapësirave publike. Higjiena personale dhe ajo në komunitet është më e rëndësishmja dhe për këtë kemi gjetur edhe mbështetjen e qytetarëve.

Në lidhje me masat e marra, Leli u shpreh se përgjegjshmëria është çelësi i suksesit.

“Në këtë luftë të bëhemi të gjithë palë dhe të jemi sa më të përgjegjshëm. Ndërgjegjësimi i qytetarëve të Vlorës është rritur. Do të doja që masat të ishin edhe më të forta. Njerëzit duhet të dalin një herë në dy apo tre ditë, që të minimizojnë kontaktet. Kjo ëndërr e keqe duhet të ketë fundin e saj sa më shpejt. Përgjegjshmëria njerëzore është çelësi i suksesit në këtë luftë të njerëzimit”, tha Leli.

Në qytetin e Vlorës vijon gjithashtu edhe dezinfektimi i hapësirave publike, institucioneve, si spitale, qendra shëndetësore, shkolla, kopshte, rrugë, pallate, etj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com