Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste televizive, pasditen e të enjtes ka theksuar se lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, teksa ka nënvizuar se vlerëson masat e qeverisë.
“Vlerësoj se po bëhet më e mira për përballimin e kësaj pandemie dhe aktualisht është një situatë nën kontroll dhe do mund të mbahet nën kontroll në rast se çdo qytetar do tregojë përgjegjësinë që kërkohet”,- tha Meta.
“Nuk kemi asnjë arsye për të patur panik, as në drejtim të trajtimit të të prekurve, apo qoftë edhe të furnizimit të vendit për mallrat më jetikë. Natyrisht është e domosdoshme një organizim më efikas për të frenuar në maksimum përhapjen e mëtejshme të kësaj pandemie”,- shtoi Presidenti.
“Kemi patur një kufizim të disa lirive të të drejtave themelore të qytetarëve por këto masa janë marrë me qëllim për të mbrojtur shëndetin e tyre. Virusi është rrezik dhe një kërcënim për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të jemi të unifikuar në luftën kundër tij”,- përfundoi Presidenti Meta./atsh