Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini njoftoi sot përmes një videomesazhi se 40 mijë studentë tanimë bëjnë mësim online.
“40 mijë studentë tashmë kanë kaluar në mësim online. Janë mbi 1 mijë lëndë që kanë kaluar në mësim online. Pedagogët po punojnë jo vetëm duke përdorur e-mail-in apo rrjetet sociale, por edhe platformat e ndryshme që janë në dispozicion falas. Është Zoom, Google Classroom, EZtalks – janë disa nga platformat që po krijojnë edhe klasën virtuale, ku pedagogu mund të bëjë edhe biseda me studentët e vet dhe e riprodhon formatin e një klase të zakonshme”, u shpreh Shahini.
Sakaq, ministrja Shahini iu dha përgjigje edhe pyetjeve të ardhura nga maturantët dhe nga nxënësit e klasave të nënta, për sa i përket provimeve kombëtare.
“Dua të nënvizoj edhe një herë se është shumë herët të marrim një vendim për provimet kombëtare se kur do të mbahen, nëse duhet të shtyhen, në çfarë formati do të zbatohen, etj. Unë ende po shpresoj që ne do të kthehemi në bankat shkollore me 6 prill siç kemi planifikuar. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të marrim një vendim në lidhje me formatin e provimeve kombëtare, vështirësinë e pyetjeve, si dhe datat kur do të mbahen. Duke marrë parasysh që jemi të përkushtuar që ta mbyllim këtë vit akademik, duhet gjithsesi të planifikojmë dhe të synojmë që t’i mbajmë provimet kombëtare sivjet. Ndaj, duke parë se si po zhvillohet situata, ne po bëjmë edhe planet e ndryshme që do t’i zbatojmë pastaj në një moment të dytë kur të dimë edhe nëse do të mbahen provimet kombëtare, kur do të mbahen ato dhe me çfarë niveli të vështirësisë”, ndërsa shprehet gjithashtu se të gjithë duhet të shfrytëzojmë këtë kohë të përgatitemi sa më mirë që është e mundur për provimet kombëtare:
“Kemi modele pyetjesh për maturantët, kemi modele pyetjesh për klasën e nëntë, të të gjitha lëndëve që mund të bien në këto provime, dhe unë ftoj të gjithë nxënësit që të punojnë sa më shumë që është e mundur vetë, por edhe me mësuesit e tyre që të përgatiten për provimet kombëtare”, – sqaroi ajo.
Shahini nuk la pa adresuar edhe një pyetje (më shumë në formë ankese) të ardhur nga prindër të ndryshëm, të cilët thonë se mësuesit po i konfuzojnë nxënësit me platformat e ndryshme që po i përdorin, duke i kaluar një herë nga Google Classroom tek një platformë tjetër, duke punuar vetëm me whatsapp apo përmes rrjeteve të tjera sociale:
“Unë kërkoj nga prindërit që të kenë pak mirëkuptim. Mësuesit tanë kanë bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm. Brenda natës kanë kaluar nga dërrasa e zezë në punë përmes ekraneve të telefonave të tyre celularë, apo edhe të laptopëve të tyre. Kështu që, e gjithë kjo punë që është bërë nga ata vetë, që të eksplorojnë platformat më të mira që u mundëson atyre të punojnë sa më shumë që është e mundur me fëmijët tuaj e me nxënësit e vet (ose “një me një” ose “në formë klase”), duhet t’i mirëkuptojmë që në këtë fazë ndoshta edhe kanë kaluar nga një platformë tek tjetra. Por, duhet edhe t’i falënderojmë për gjithë punën që po e bëjnë për kapërcimin e madh që kanë bërë ata vetë duke mësuar të përdorin platforma të ndryshme që t’u vijnë në ndihmë atyre nxënësve, si dhe procesit mësimor”, – u shpreh Shahini. /atsh