Ministrat e BE ranë dakord të fillojnë bisedimet e shumëpritura të anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, thanë burime në Bruksel për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.
Komisioni Europian ka gjykuar prej një kohe të gjatë se Shkupi dhe Tirana ishin gati për negociatat e pranimit, pas ndërmarrjes së reformave demokratike dhe, në rastin e Maqedonisë së Veriut, duke ndryshuar emrin e vendit për të zgjidhur një mosmarrëveshje me Greqinë fqinje.
Por, në tetor, Franca në veçanti, vendosi veton në minutën e fundit, duke këmbëngulur për reforma të mëtejshme dhe një rregullim të procesit të pranimit në BE.
Ministrat e BE për Çështjet Europiane më në fund dhanë miratimin sot, pasi ambasadorët e bllokut hoqën pengesat përfundimtare për të hapur bisedimet e pranimit.
Vendimi zyrtar duhet të merret në një procedurë me shkrim të përshtatur për shkak të kufizimeve të koronavirusit.
Brukseli përdor perspektivën e anëtarësimit për të inkurajuar reformat demokratike në këto vende.
Zyrtarët e BE paralajmërojnë se vende të tilla si Rusia dhe Kina po kërkojnë të kenë ndikim në rajon./atsh