Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi sot sërish shpalljen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore
Në një intervistë televizive Basha deklaroi se, “shpallja e emergjencës së fatkeqësisë natyrore i mundëson qeverisë të disponojë mjete financiare, të autorizojë policinë e ushtrinë për veprime që në raste të tjera nuk janë të autorizueshme.
Basha tha se, “është detyrim ligjor që shteti të marrë masat që ne i kemi kërkuar prej kohësh”.
“Shteti ka edhe detyrime që për qytetarët janë të drejta, për shembull të ardhura për ata që nuk marrin dot rroga për këto muaj. Paratë t’i gjejnë duke anuluar koncesionet, çdo kontratë rruge apo tjetër që mund të shtyhet, të gjitha paratë e taksapaguesve duhet të shkojnë në një drejtim tani”, tha Basha.
Kreu i PD nënvizoi se, “duhet të mbrohen me prioritet personeli mjekësor”.
Sa i përket shpenzimeve sociale Basha tha se, “ne kemi 50% të popullsisë në kushtet e varfra apo shumë të varfra, ndryshe nga vende të tjera të Europës”.
“Problemi i tretë ka të bëjë me ekonominë, bizneset e vogla janë të mbyllura e kjo po krijon një gropë në konsum. Duhet mbështetje për ta dhe për fermerët shqiptar. Ne kemi evidentuar 260 milionë euro në buxhetin e sotëm të shtetit, 120 milionë euro nga 10 kontratat koncesionare të destinuara për 2020, afro 40 milionë euro si shpenzime operative të tepërta, nuk janë të nevojshme sot dhe afro 100 milionë të tjera si shpenzime në zërin e investimeve publike”, tha Basha.
“Kufizimet i mbështes 100%, koha do të vijë shumë shpejt që të kufizohen edhe më. Këto sakrifica që i kërkohen popullit, duhet t’i përgjigjemi më sakrificat tona. Ato sugjerime që bëmë ne, janë zbatuar me vonesë, por më mirë vonë se kurrë. Kjo tregon që propozimet tona ishin të drejta e të përgjegjshme, aspak propagandë apo politikë”, tha Basha.
“Qeveria të mbyllë menjëherë fasonet, fabrikat, call center-at, që nuk kanë domosdoshmëri jetike. Sot u informova që Kryeministri ka pranuar ta shpallë këtë gjendje. Më informojnë edhe që Franca ka vendosur këtë masë: mund të dalësh vetëm 1 orë në ditë, me rreze 1 kilometër nga shtëpia, me gjobë deri në 1500 euro. Ndalohen tregjet në të hapur, mund të shkosh te mjeku vetëm pasi ke ezauruar protokollet e OBSH. Dua t’i bëj thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat. Dua të përshëndes policinë e shtetit që ka sqaruar shumë mirë këto rregulla. Por kjo medalje ka dy anë, duhet dhënë edhe çdo mbështetje për qytetarët në pamundësi, prandaj duhet urgjentisht të ndërpritet çdolloj shpenzimi buxhetor”, shtoi Basha./atsh