Zv/Kryeministri Erion Braçe u ka bërë thirrje sot të gjithë atyre që kanë ardhur nga zona e kuqe në Itali në datat 8, 9, 10 mars e më tej që të vetëkarantinohen dhe të mos takojnë të afërmit, pasi po i rrezikojnë jetën.
“Po si ka mundësi që nuk doni të kuptoni?! E kam me secilin nga ju që keni ardhur nga zona e kuqe në Itali në datat 8, 9, 10 mars e më tej; Po vrisni njerëz! Kuptoni apo jo?”, thotë Braçe.
“Në Korçë mbesa e ardhur në datën 8 infekton gjyshërit mbi 70 vjeç, në Vlorë djali i ardhur në datën 9 infekton prindërit mbi 60 vjeç, në Lushnje djali i ardhur në daten 10 infekton dy prindërit mbi 74 vjeç; Të gjithë në fashën e riskut të lartë e në vetëm tre ditë!”, thekson Braçe.
“Djem e vajza, një dorë e dhënë, një puthje shqiptare, një përqafim po aq folklorik, është si shkrehja e një kobureje që vret! As e vë në dyshim që i doni prindërit, gjyshërit, familjarët, madje dhe kusherinjtë e kushërirat, por po i vrisni!”, thekson zv/Kryeministri
“Vërini kyç zemrës nëse vërtete i doni! Tregoni nga vini dhe merrni distancë fizike nga cilido që doni e jo vetëm! Ndalini vizitat tek kushërinjtë se “jeni kthy apo janë kthy nga jashte shteti e duhet me i shku e me ju shku”! Boll se po ju merrni jetën! Do e keni peng ju gjithë jetën!”, nënvizon Braçe./atsh