“Ne jemi nga ato pak vende që kanë shkuar deri në fund me marrjen e masave, mund të bëjmë edhe ndonjë shtrëngim tjetër, por përgjithësisht nëse e zbatojmë kuadrin e masave që kemi sot ne do t’ia hedhim pa shumë vuajtje dhe pa shumë humbje jete”, tha sot kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë televizive, Rama tha se “ka një model statistikor të ndërtuar bazuar në trajektoren e vendeve pas 20 infektimeve të para”. “Nëse shohim atë model statistikor ne jemi shumë më mirë se sa shumë vende të tjera sepse i kemi marrë masat më shpejt dhe përgjithësisht dhe po i respektojmë ato”, tha Rama.
Duhet ta themi këtë, vijoi kryeministri, duke shtuar se “ka një lloj alarmi që nuk është i pavend por po ashtu është edhe pak i ekzagjeruar, pasi shkeljet që ndodhin dhe parregullsitë në sjellje na acarojnë të gjithëve, por janë minimale me ato që po bëjnë shumica e popullsisë”.
“Një rast në treg apo disa raste ecje në rrugë bashkë mirë është të eliminohen plotësisht por nuk janë një arsye të themi se ne po dështojmë në aplikimin e masave si popull. Ne po bëjmë gjithçka të mirë por duhet të shtrëngohemi çdo orë e më shumë nëse nuk duam të numërojmë qindra të vdekur në mos mijëra. Kjo është e mundur të ndodhë nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm që secili të bëjë luftën e vet dhe të kemi humbje sa më minimale”, tha Rama.
Rama tha se “ne bazohemi në modelin e ndërtuar në algoritmet e përdorura nga vendet e tjera”. “E kemi prezantuar disa herë atë kurbën e famshme që është diçka që na bashkon me të gjitha eksperiencat dhje bazohet në një fakt shumë të thjesht: virusi do të përhapet, pra asnjë gjë nuk e ndalon virusin të bëjë të vetën dhe të prekë shumicën prej nesh, por masat shtrënguese ngadalësojnë përhapjen e tij dhe i japin mundësi sistemit shëndetësor që të kurojë ata që preken më rëndë”, tha Rama.
Rama tha se “ne e dimë shumë mirë se 80% që do të preken nuk do të kenë shenjë, por ne duhet t’u japim shansin atyre që do të luftojnë me vdekjen në krevat në spital që të marrin shërbimin e duhur”.
“Duhet të rrimë sa më shumë mbyllur në shtëpi dhe të zbatojmë të gjitha rregullat që janë të thjeshta sepse nuk kemi asnjë armë tjetër. Java që kemi hyrë është e parashikuar. Nuk kemi hedhur fall por është algoritëm bazuar në modelin statistikor të përbotshëm që e përdor çdo vend. Kjo është javë shumë e vështirë, por edhe vendimtare bashkë me 1 apo 2 javët e tjera që e pasojnë për të mos e lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë që pastaj të jemi të detyruar të shkojnë në katastrofë”, tha Rama./atsh