“Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën duke i thënë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë televizive, Rama tha se “masat synojnë një përpjekje për të përballuar përhapjen e epidemisë, që do të përhapet në të gjitha rastet dhe vendet, pavarësisht se çfarë bëjnë, por themelore është që përhapja të ngadalësohet sa më shumë mbi bazën e kësaj strategjie”.
“Qëllimi është që ne të mos kemi kurbën katastrofike që është prezantuar edhe publikisht dhe që është kurba e Italisë, por të kemi një kurbë graduale ndaj ishim të parët që nisëm të marrim masat më ekstreme dhe u futëm në shtëpi”, tha Rama.
Ai theksoi se “masat shtrënguese janë e vetmja gjë në këtë histori të hatashme, ku të gjithë biem dakord që ndihmojnë dhe mënyra se si merren dhe zbatohen përcaktojnë sa shumë ndihmojnë”.
Rama tha se “ajo që kemi regjistruar në ditët e fundit është ajo që kemi pritur dhe e kam paralajmëruar jo se jam profet apo hodha fall, por sepse ne punomë mbi bazën e një modeli të ndërtuar mbi statistika dhe jemi në fazën ngritëse të kurbës”. “Javën e kaluar shifrat filluan të rriten dhe këtë javë do rriten edhe më shumë. Di që shifra zyrtare e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë është brenda parashikimeve”, tha Rama.
Sa i takon kufizimeve të lëvizjes, Rama tha se “ne nuk i kemi ndryshuar shpesh oraret, i kemi ndryshuar 2 herë”. “Kishim një orar standard. Të gjithë ankoheshin se nuk funksiononte. Vendosëm me 2 fasha, funksionoi më mirë se i pari, por jo aq mirë sa donim dhe të gjithë ankoheshin prapë, dhe tani kemi 8 orë për të blerë që janë më shumë se të mjaftueshme për të qëndruar në radhë dhe jo të grumbullohemi”, tha ai./atsh