Loading...

Kush shkel kufizimet e qarkullimit do e paguajë shtrenjtë, do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore, bursat dhe rimbursimi i ilaçeve

“Individët që shkelin kufizimet e qarkullimit do ta paguajnë shtrenjtë dhe çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta sepse do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “atyre do t’u mohohet çdo lloj kompensimi nëse janë në kategorinë e atyre që duhet të rrinë në shtëpi se nuk shkojnë dot në punë; do t’u mohohet çdo lloj ndihme financiare për të paktën një vit nëse nuk kanë punë; do t’u mohohet çdo lloj burse për studentë apo rimbursimi i ilaçeve për pensionistët”.

Rama tha se “qëndrimi në vend, ecja më të tjerë nëpër lagje nuk do të tolerohet më paqësisht dhe nuk do të mjaftojnë më gjoba”. “Polica e ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi zonën e kuqe, si dhe çdo zonë urbane duke fotografuar dhe duke futur në listë të zezë tradhtarësh këta individë që do ta paguajnë shtrenjtë”, tha Rama.

Rama tha se “kjo është një pakicë fare e vogël të pabindurish, që janë të mjaftueshëm për të marrë në qafë gjithë popullin dhe që do të konsiderohen tradhtarë lufte”.

“Dua t’ju informoj se të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes, deri tek forcat më speciale, janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet në rast shkelje ligji në tubime të paligjshme deri tej uji e gazi lotsjellës”, tha Rama.

Rama tha se “mbështet të gjithë popullin që zbaton rregullat e luftës dhe po plas nga marazi se si një tufë të pabindurish sabotojnë rezistencën popullore pa pikën e turpit”.

Kush nuk e ka marrë vesh akoma me fakte se kjo është një luftë botërore, ku nuk na duhen armë bërthamore e raketa, por thjesht dhe vetëm durimi ynë, do të duhet ta marrë vesh me pahir. Më shkruajnë për fukarenjtë, por ta mbledhin mendjen top se sot askush nuk kërcënohet nga vdekje për shkak të urisë, pro nga vdekja për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë Iphone dhe dëngla për të shitur në Facebook dhe Instagram dhe janë njerëzit më të mirëkuptueshëm të këtij vendi që do t’i ndihmojmë deri në fund. Të mos bëhen merak këta fukarenjtë nga mendja e kokës që shkruajnë komente për popullin që po vdes se nuk ka bukë me hëngër, sepse nuk ka vdekur as në ato 50 vjet kur jetonte me 200 kalori në ditë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “operacioni humanitar që kemi ngritur dhe po zhvillohet përditë në ndihmë të fukarenjve është shembulli kuptimplotë se nuk kemi pritur, por kemi marrë detyrën ashtu si duhet dhe do ta bëjmë deri në fund”.

“Mjaft dhe stop. Mos luani nga vendi dhe nuk do të tolerojmë më askënd dhe do të përgjigjemi me të keq nëse me të mirë nuk marrin vesh disa që janë një pakicë e pagdhendshme kur nga ana tjetër e detit po vdes 1 njeri në çdo dy minuta. Nuk ju ndahem pa jua treguar se çfarë katastrofe na gjen nesër po nuk e ndamë bashkë mendjen sot. Më mirë disa mijëra prej jush të tërbohen fare nga fjalët e mia sot, se sa qindra e mijëra të vdekur nga ne të gjithë nesër”, tha Rama.

Miqtë tanë kroatë, vijoi kryeministri, “po bëjnë gati për spital edhe stadiumin e tyre në Zabreb”. “Mendoni, Air Albania spital se duan disa të shtyhen në radhë për qepë e domate sikur po humbasin anijen e fundit për të ikur, apo se u lodhën duke luftuar në kolltuk. Jo nuk ka shans mirëkuptimi për këtë dhe me këta ka vetëm forcë ligjore policore deri në fund. Po çmendet Spanja që po i vdes një njeri çdo 5 minuta. Po luan nga trutë e kokës Franca, monarkia e shëndetësisë në Europë se nuk ka maska e respiratorë për gjithë atë dynja që pritet të kërkojë frymëmarrje artificiale nga shtetit. Ju më thoni mos na fut panikun se do vdesim nga frika, por më mirë qani sot nga frika se sa të vajtoni nesër nga vuajtja dhe të lëngoni nga mushkëritë që nuk ju furnizojnë dot me frymë më mirë. Shkurt muhabeti, nga tani që flasim deri të hënën në 5:00 të mëngjesit asnjë hap jashtë shtëpisë”, tha Rama./atsh