Arma më e mirë kundër koronavirusit është forcimi i sistemit imunitar, deklaroi mjeku turk, Faruk Yorulmaz, drejtuesi i Departamentit të Shëndetit Publik pranë Universitetit Trakya.
”Trupi i njeriut e ka të vështirë të luftojë kundër viruseve kur sistemi i tij imunitar dobësohet, kështu që është me rëndësi të hahet shëndetshëm dhe të bëhet gjumë i mirë”, shtoi ai.
“Nuk ka asnjë trajtim të njohur ose vaksinë kundër virusit deri më tani. Pra, forcimi i sistemit tonë imunitar është arma jonë më e mirë kundër koronavirusit”, tha Yorulmaz.
“Ne mund të forcojmë sistemin tonë imunitar me ushqim të shëndetshëm” tha ai, duke shtuar se njerëzit mund të ekspozohen në diell për të fituar vitaminë D.
”Duhen konsumuar të paktën dy litra ujë në ditë, mjeku tha që duhet përmbajtur nga të ngrënit ushqime “junk”, pasi mbipesha ndikon negativisht në imunitet. Po ashtu edhe gjumi i pandërprerë për 7-8 orë është gjithashtu i dobishëm”, tha ai dhe rekomandoi bërjen e aktiviteteve fizike.
“Trupi i njeriut është programuar të lëvizë, prandaj aktiviteti fizik do të ndihmojë në përmirësimin e sistemit imunitar”, tha Yorulmaz. /atsh