Loading...

Askush nuk e di sa do zgjasë/ Në luftë për ekzistencë me COVID-19, kemi vetëm njëri-tjetrin mbështetje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në këtë luftë për ekzistencë jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin”.

“Nuk jemi si pas tërmetit kur na ra tavani mbi kokë, varrosëm 51 anëtarë të familjes sonë, kuruam plagët e afro 1 mijë të tjerëve dhe programuam buxhetin tonë për të kthyer në shtëpi 17 mijë motra dhe vëllezër që mbetën me qiellin mbi kokë në mes të dimrit. Morëm rrugët e botës me dorën shtrirë si hallexhinj dhe i hapëm me shkelmin e argumenteve bindëse dyert e botës mbarë duke garantuar fondet e rindërtimit. Jo s’jemi pas tërmetit këtë herë, por jemi pasi na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra, në mos mijëra jetë dhe rrezikon të na shtrijë spitaleve, në mos palestrave dhe sallave të koncerteve mijëra e mijëra njerëz të zemrës nëse nuk zbulojmë përditë brenda vetes fuqinë e durimit më të jashtëzakonshëm dhe nëse nuk e ndajmë mendjen më fort se kurrë se në këtë hall sa një mal mbi kokë jemi vetëm”, tha Rama.

Ai tha se “kemi vetëm veten dhe njëri-tjetrin dhe askush që nuk flet shqip apo qan shqip, nuk na dëgjon”. “Nuk kemi kujt t’ia shtrijmë dorën. Askujt tjetër, sepse askush nuk shikon hallin që na zuri, dhe nuk kemi asnjë derë tjetër, përveç dyerve të zemrave tona ku të trokasim, sepse nuk ka mbetur më derë në botë që nuk është mbyllur”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ose do të luftojmë bashkë, ose të gjithë bashkë do të biem në humnerë, ku nuk do ketë kush të na varrosë e jo më të na qajë”.

Duke prezantuar planin financiar për përballimin e COVID-19, Rama u bëri edhe njëherë apel gjithë shqiptarëve që të ndërgjegjësohen për situatën ku ndodhemi.

“Ju kërkoj përulësisht ndjesë një mijë herë për gjithçka të papëlqyeshme që kam qenë i detyruar t’ju them dhe do t’ju them deri në fund dhe pa ngurim deri sa kjo luftë të mbaroj. Fjalët e sheqerosura janë tradhti. Shikoni çfarë po ndodh me vende shumë më të mëdha se Shqipëria, po e paguajnë një nga një iluzionin se kjo është një ëndërr e keqe që do të mbarojë vetë dhe shpejt. Vendet më të zhvilluara të botës u kapën të gjithë gafil, komplet të paditur dhe të papërgatitur nën agresionin e një virusi të panjohur, një armik që i ka gjetur pa shtretër të mjaftueshëm spitalore, pa aparatura të mjaftueshme frymëmarrje, pa maska dhe veshje të mjaftueshme mbrojtëse, dhe deri pa numra të mjaftueshëm mjekësh të specializuar kundër asfiksimit të qenies njerëzore”, tha Rama.

Ai tha se “për herë të parë si Ballkani i varfër, si Europa e pasur, gjenden në të vetmen anije në det të hapur. “Kanë vetëm një armë në dispozicion, që ka vetëm një fishek, unitetin popullor. Kjo është e para luftë në historinë e njerëzimit ku kazerma është shtëpia dhe çdo ushtar duhet të mbyllet sa më shumë në shtëpi. Tani shohim se si ushtria amerikane, më e pathyeshmja në botë, dhe më e vogla ushtria shqiptare, kanë të njëjtën forcë goditëse: zero. Asnjë aleancë mes shtetesh nuk ekziston. Një luftë botërore, ku secili mbetet më vete dhe Zoti për të gjithë”, tha ai.

Kryeministri tha se “ne nuk jemi më të mençur sesa ato vende që ngurruan për masat shtrënguese dhe që të kufizojnë rëndë lirinë e njerëzve, por pikërisht pse jemi më të dobët se ata ne vrapuam më shpejt të mbyllemi në shtëpi”.

“Do të vazhdojmë kështu pa asnjë iluzion. Nuk e di askush, as SHBA, Gjermania, Franca e me radhë se kur do të vijë dita e çlirimit tonë nga ky makth. Po nuk do të jetë as javës tjetër dhe as pas dy javësh. Vetëm Zoti e di se deri kur do të vazhdojë”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com