Mjeku infeksionist, Tritan Kalo deklaron se njerëzit duhet të vetëndërgjegjësohen dhe të zbatojnë masat për frenimin e përhapjes së COVID-19 duke i dhënë mundësi mjekëve që t’u shërbejnë me cilësi.
“Njerëzit duhet të vetëndërgjegjësohen dhe të na krijojnë mundësi të shkëpusim zinxhirin e transmetimit dhe të kemi nën kontroll evolucionin e kësaj sëmundje që të mos tejkalojmë kapacitetet aktuale dhe ato të parashikuara për t’iu ardhur në ndihmë cilësisht atyre që do të preken me COVID-19”, tha Kalo.
Sipas tij, janë mbi 84 mijë të shëruar plotësisht nga COVID-19 në botë, që i bie gjysma e të infektuarve.
“Kjo është shenjë optimizmi që na bën ne me optimizmin se një ditë do ta përfundojmë punën me këtë virus tinzar”, u shpreh ai.
Kalo theksoi se në 70-80% të rasteve kalohet pa simptoma. Në Shqipëri, tha ai, kemi 25 pacientë të shtruar në pavion dhe tre në terapinë intensive që janë forma më e rëndë e infeksionit. “Po asistohen në aspektin e ventilimit”, deklaroi Kalo.
Më tej Kalo vuri në dukje se ajo që ne na shqetëson, është fakti që jo të gjithë njerëzit janë ndërgjegjësuar për ndërprerjen e përhapjes në popullatë përmes izolimit në shtëpi.
“Në përputhje me evolucionin e rasteve janë përgatitur edhe skenarët për kapacitetet. Të ndërpresim sa më shumë të jetë e mundur zinxhirin e transmetimit” apeloi ai.
Sa i takon kapaciteteve, Kalo siguroi se mjetet janë dhe po përditësohen.
“Shërbimi i sëmundjeve infektive që u përgjysmua në fillim të viteve ‘90 për shkak të politikave të mbrapshta, tashmë po ripërditësohet duke i përshtatur atij edhe pavijone që ishin më parë. Konkretisht po krijohen 21 spote për terapinë intensive dhe vendosjen e ventilatorëve dhe mund të shihni bombolën e madhe pas godinës. Është instaluar edhe një aparat për ujin, duke iu mundësuar edhe dializën atyre pacientëve që mund të jenë me COVID-19, në të ardhmen e afërt”, u shpreh mjeku Kalo./atsh