Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka urdhëruar kufizimin e lëvizjes me automjetet private ose shtetërore të administratës publike.
Ministria e Shëndetësisë sqaron se në mbështetje, ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, sipas udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID19 vendosi ndalimin e lëvizjes me automjetet private ose automjete shtetërore të punonjësve të administratës publike të institucioneve qendrore dhe atyre vendore, puna e të cilëve lidhet me qëndrimin në zyrë dhe jo në terren.
“Përjashtim nga ky rregull bëjnë punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përfshirë personelin mjekësor dhe infermieror, punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financës apo të prefekturave dhe bashkive që janë të përfshirë në listën prioritare të firmosur nga titullari i institucionit. Ministritë dhe institucionet e administratës publike që nuk janë të përfshirë ne pikën 2 të këtij urdhri të paraqesin kërkesë pranë autoriteteve kompetente për personelin që duhet të lëvizë me automjet privat ose shtetëror, për t’u pajisur me leje të posaçme. Adresa: Rruga e Kavajës Nr. 1001, Tirana, Albania. Tel: +355 42376178/ext 72128 www.shendetesia.gov.al”, sqaron Ministria.
Titullarët e institucioneve të vartësisë të institucioneve të përcaktuar në pikën 2 të këtij urdhri të dërgojnë pranë ministrit ose kryetarit të bashkisë listën e arsyetuar të personave që duhet të lëvizin me automjetin privat ose shtetëror. Lista me emrat i përcillet autoriteteve kompetente për t’u pajisur me leje të posaçme. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri Titullarët e institucioneve qendrore dhe vendore të përfshira në këtë urdhër”, sqaron Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh