Loading...

Pipero: Koronavirusi shkatërrohet shumë shpejt nga uji e sapuni, me kurajo nga qytetarët e mjekët do ia dalim

Doktori Pëllumb Pipero këshilloi sërish mbrëmjen e sotme, qytetarët që të mund të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të lajnë duart me ujë dhe sapun, shumë shpesh.

Ai theksoi se virusi mund të shkatërrohet nëse duart lahen shpesh dhe nuk preken hunda, goja apo sytë.

“Ka njerëz që dalin nga shtëpia që takohen. Unë do t’i këshilloja në këtë situatë që sa herë prek një objekt, bën një punë menjëherë të lahen duart me ujë dhe sapun. Është virus me peshë të madhe molekulare. Transmetohet me spërklat e pështymës, shkatërrohet shumë shpejt nga uji dhe nga sapuni. Por merret përmes spërklave ose me dorën kur ndodh që një objekt të ndotet, në gojë, në hundë apo në sy. Pra, nuk ka rrugë tjetër transmetimi të sëmundjes, e njohur deri tani’, -tha Pipero.

I pyetur nëse ndjehen mjekët dhe infermierët të rrezikuar, Pipero u shpreh se “ne jemi njerëz dhe në praktikën tonë të përditshme mund të bëjmë edhe gabime që na kushtojnë sëmundjen, shpesh edhe jetën. Faktet janë kokëforte dhe kemi parë qindra doktorë të infektuar, në Itali gjithashtu, tek ne kemi prapë mjekë. Pra, ndodh kjo kur je me pacientin dhe nuk ke të dhëna që ai ka pasur kontakte dhe është infektuar dhe ky është një gabim që ka ndodhur shpesh. Por, ne jemi shumë të ekspozuar, çdo ditë të ekspozuar dhe çdo gabim në veshjen apo zhveshjen e atyre maskave të kushton infeksionin. Kemi frikë por jemi të kujdeshëm, frika është njerëzore. Të mos kesh frikë më duket shumë logjike, shumë normale. Kemi frikë por kemi shumë kujdes. Me shumë mirëkuptim nga qytetarët dhe me pak kurajo që buron nga brenda nesh për t’iu shërbyer pacientëve me përkushtim, do t’ia dalim mbanë”.

Pipero po ashtu tha se lidhur me punonjësit e call centerave se “unë do të rekomandoja në këtë situatë, ato duhet medoemos të ndërpresin punën. Janë shumë njerëz që grumbullohen në një vend. Nuk ka asnjë mundësi për të parandaluar në mjedise të përbashkëta, transmetimin e virusit. Është gabim i rëndë që vazhdojnë të jenë në punë akoma. Nuk duhen lejuar”/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com