Mbyllja e të gjitha aktiviteteve prodhuese është njësoj si t’i heqësh pas 3 muajsh gjithë Shqipërisë aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë dhe kjo nuk ka për të ndodhur”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Ai u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë ligjin special, Aktin Normativ për masat kundër përhapjes së koronavirusit.
“Të dashur qytetarë, koha që po kalojmë është një luftë botërore nervash ku kush nguron të bëjë gjënë e duhur, dhe kush ndalon lirinë e fjalës me detyrim për të zbatuar këshillat, kush dorëzohet e paguan nesër shtrenjtë. Ju kërkoj vetëm të bëni durim dhe të dëgjoni lutjen për të mirëkuptuar për masën e jashtëzakonshme të vështirësisë”, tha Rama.
Rama tha se “të bombarduar me gjithëfarë lajmesh, qytetarët kanë të drejtë të ankohen dhe të acarohen por askush nuk ka të drejtë të vendosë në diskutim dobinë jetike dhe të shkelë ligjin special që më ka rënë mua barra t’ua komunikoj”.
“Askush nuk e di sa mund të zgjasë kjo luftë. Ju lutem ta kuptoni se të mbyllësh aktivitetin prodhues është si të heqësh aparatin e frymëmarrës Shqipërisë. Vendimi nuk do të thotë sakrifikim i shëndetit të atyre që duhet të shkojnë në punë. Ne ishim të parët që mbyllëm shkollat. Asnjë vend nuk e ka përfshirë pjesën kritike të zinxhirit ekonomik të planit drastik të kufizimit, as Italia nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “koha që po kalojmë është një luftë botërore”. “Dikush që ngurron të bëjë gjënë e duhur sot për të zbatuar këshillat dhe urdhrat, që në kohë normale tingëllojnë si fjalë që vijnë nga çmendina e paguan, aq shtrenjtë sa nuk do të donte ta provonte”, tha Rama.
Rama tha se “kjo nuk do të jetë një luftë e shkurtër që do mbarojë në një fundjavë apo në 1 dhe 2 javë”. “Askush nuk e di as në botë sa mund të zgjasë kjo luftë. Të gjithë tani po pranojnë dhe po i nënshtrohen të vetmit ilaç për të lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur plagët e viktimave të pashmangshme të këtij virusi: kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi gati absurd social”, tha Rama.
Ai theksoi se “sfida është jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit, por të garantojmë që paslufta të mos jetë pa rrugëdalje drejt humnerës ekonomike”.
“Sikur pagesat e ujit, dritave, rrogave të atyre që nuk kanë burim tjetër etj. të mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit duhet të varesha nga këmbët në Sheshin ‘Skënderbej’ për mosmbylljen e të gjitha aktiviteteve prodhuese. Por është njësoj si t’i heqësh gjithë Shqipërisë pas 3 muajsh aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Kush nuk e kupton le të më shajë, nuk ka problem, mjafton të mos shkelë rregullat që i takojnë si individ”, tha Rama.
Ai theksoi se Shqipëria është në rreshtin e parë të vendeve që mbylli shkollat dhe mori masa drastike./atsh