Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se në kushtet e pandemisë nuk ka kuptim kryerja e sa më shumë tamponëve por qëndrimi i qytetarëve në banesë për 14 ditë, në mënyrë që virusi të mund të mos transmetohet.
”Dje nga 2066 thirrje të kryera për koronavirusin, 84 janë skeduar si skena për t’u marrë tamponë. Pra, jo çdokush për t’iu hequr qetësinë që kam apo nuk kam, nuk i bëhet tamponi sepse nuk ka sens. Në kushtet e pandemisë është një rregull tjetër që nuk bëhen më këto teste, për rastet që nuk kanë indikacion. Në Kinë, studimi që u bë në Wuhan, në 78 mijë tampone që u kryen në fazën e parë kur ishte infeksioni shumë i lartë vetëm 0.14% e tyre doli pozitiv. Pra, nuk është testi që ndryshon as prognozën por janë masat drastike që njerëzit duhet të rrinë në shtëpi”, theksoi Brataj.
“Ne si mjekë dhe infermierë nuk rrimë dot sepse jemi në shërbim por njerëzit duhet të kufizojnë sa më shumë lëvizjet nga banesa, të dalin tek personat për nevojat emergjente dhe të kufizojnë lëvizjet ndërqytetare. Të gjitha këto janë masa për mospërhapjen e virusit dhe kjo ka një kohë dy javore. Pas dy javësh virusi shkatërrohet, nuk transmetohet më. Njerëzit këtë duhet të kuptojnë. Jo se u mbyllën shkollat dhe do të dalim tek kendet e lojrave, të dalim shëtitje në grupe. Njerëzit duhet të kuptojnë që duhet të jenë në banesat e tyre. Nëse do të shkojnë në supermerakatë, të shkojë vetëm 1 pjesëtar i familjes dhe të mos merret fëmija me vete. Pensionistët që janë më të ekspozuar nuk duhet të mblidhen e të luajnë domino tek parku para shtëpisë ose tek lulishtja. Duhet të marrin vesh që janë ata mbrojtësit e parë të vetës se tyre dhe të komunitetit dhe shoqërisë. Këto janë masa drastike që po i merr edhe qeveria sepse treguan efikasitetin si në Kinë dhe në Itali dhe ne kemi fatin e mirë që këto masa drastike u morën që me shfaqjen e virusit. Unë mendoj se nuk do të ketë ato përmasa shfaqja e infeksionit në popullsinë e Shqipërisë për arsye të marrjes së masave në mënyrë të menjëhershme”, -tha Brataj./atsh