“Paniku është më i dëmshëm se sa vetë virusi”, deklaroi sot Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.
Në një intervistë televizive, Gjata bëri thirrje që të mos ketë përhapje të lajmeve të rreme, sidomos në rrjetet sociale.
“Për mua paniku është më i dëmshëm më shumë se sa virusi. Pjesa më e madhe medieve kanë treguar profesionalizëm. Ndërsa rrjetet sociale të mos bëjnë fake news. Ndërsa klasa politike duhet të ketë një konvergjencë, që të bëhet sa më e kalueshme si situatë. Fatmirësisht pacientët momentalisht nuk kanë nevojë për ndihmë respiratore. Personale mjekësor është më i ekspozuari, dhe nëse infektohen mund të kesh mungesë personeli. Po ashtu është trajnimi i tyre. Infektivi mund të paraqitet deri të pacientët që nuk kanë probleme respiratore, sepse ata nuk kanë kompetencat e mjaftueshme”, tha Gjata.
I pyetur në lidhje me pajisjet në infektiv, Gjata tha se, “ pajisjet e infektivit dhe pajisjet bazë të domosdoshme janë gati dhe gjithashtu ekziston mundësia e diagnostifikimit. Di që kjo skema e telefonatës nga shtëpia dhe vet izolimi në shtëpi, marrja e analizës në shtepi me tampon janë udhëzime të OBSH”.
“Është e domosdoshme të ulim në minimum shkallën e infektimit të popullatës. Sa më shumë të ulim infektimin aq më e lehtë do jetë për sistemin shëndetësor ta përballojë situatën”, tha ai.
“Do të doja shumë që në mënyrë të përsëritur të ftoja mediat që t’i bënin thirrje publikut të zbatojë ato rregulla të thjeshta për shmangien e përhapjes së sëmundjes. Janë rregulla të thjeshta, të cilat nuk ja vlen t’i përsërisim. Që nga larja e duarve, dhe me radhë. Janë shumë të rëndësishme”, tha Gjata./atsh