Loading...

COVID-19/ Reduktim i tavolinave në gjithë restorantet dhe klubet

Qeveria shqiptare ka përforcuar masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se, është e domosdoshme që të gjithë restorantet dhe klubet të garantojnë një modifikim të numrit të tavolinave, duke krijuar një distancë dy metra nga njëra tavolinë tek tjetra.

“Nuk është pjesë e kësaj dite, të kësaj faze, që ne të mbyllim restorantet apo klubet, por është e domosdoshme që të gjithë restorantet dhe klubet të garantojnë një modifikim të numrit të tavolinave, duke krijuar një distancë dy metra nga njëra tavolinë, tek tjetra. Këtë nuk e kemi shpikur ne. Unë nuk do doja kurrë të thoja gjëra që në kohë të tjera do dukeshin qesharake, por janë aq serioze sa nuk ka më. Është njësoj si të shmangesh nga plumbi. E njëjta gjë. Nuk janë gjobat, gjëja që ne mendojmë se është e para. Vendet e tjera, vende demokratike, vende të BE-së kanë vendosur gjoba marramendëse. Në Republikën Çeke paguan 100 mijë euro, i marrin edhe shtëpinë dikujt që del nga shtëpia, pasi ka ardhur nga një nga vendet e prekura”, tha Rama.

“Por ne jemi të vetëdijshëm që këtu është nevoja për t’u bërë bashkë. Këtu është nevoja që secili të bëjë detyrën e vet. Ne do bëjmë detyrën, unë do bëj detyrën, edhe si kryeministër, edhe si individ, edhe si familjar, edhe si prind dhe si biri i një nëne të sëmurë. Por pas kësaj, sigurisht do të ketë dhe sanksione, sepse, kur të thonë ke ardhur nga një zonë e prekur, apo ke pasur një kontakt me dikë, – e thashë në fillim, 8 prej të prekurve janë kontaktet e një burimi, nga 10 që kemi, – atëherë duhet ta respektosh për veten tënde e për familjarët e tu. Në 14 ditë, Izraeli ka mbyllur 100 000 vetë në shtëpi. 100 000 qytetarë izraelitë janë mbyllur nëpër shtëpi 14 ditë dhe nëse dalin, shkojnë drejtpërsëdrejti në burg. Këtu besoj që duhet të mirëkuptohemi e do respektojmë shumë jetën dhe të drejtën e atyre që janë më të rrezikuarit, që të mbrohen dhe nga ne. Është e vërtetë, prek më të moshuarit, ata që janë më të sëmurë, por ne nuk mund të bëjmë asnjë shaka. Frikë, fare! Ndërsa kujdes, po! Maksimal!” – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com