Loading...

Media prestigjioze spanjolle: Shqipëria sekreti i fundit i Europës

Shqipëria është sekreti i fundit i Europës, shkruan gazeta prestigjioze spanjolle ”El Pais”, që i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë.

”Turistët spanjollë të moshës së tretë kujtojnë se, për shumë dekada, në pasaportat e tyre shkruhej: E vlefshme për të gjitha vendet, përveç Shqipërisë, Koresë së Veriut dhe Mongolisë”.

Për më të interesuarit, kjo pengesë ka ngjallur një kuriozitet për të zbuluar se çfarë fshiheshin në këto vende të ndaluara. Një nga këto vende të ndaluara, më e afërta gjeografikisht ishte pikërisht Shqipëria, e cila deri vonë kishte mbetur larg hartës turistike.

Pas dekadash izolimi, vendi ballkanik i shfaqet botës me një miks të parezistueshëm plazhesh, pyjesh dhe qytetesh, arkitektura e të cilëve është një përzierje e asaj shqiptare dhe otomane.

Tani shqiptarët duan të prezantohen para botës me bukuritë e tyre natyrore dhe kulturore. Dhe këto bukuri duhet t’i prezantojnë para se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Dekada izolimi e kanë bërë Shqipërinë me një madhësi pak më të vogël sesa Katalonja apo Galicia, një vend ndryshe nga pjesa tjetër e fqinjëve të tij në Ballkan.

Nuk është destinacion për ata që kërkojnë shumë komoditete dhe nuk është udhëtim pa ngjarje të papritura. Por, mbase është kënaqësi të shndërrosh një udhëtim, në një aventurë të vogël.

Kështu ndërsa do të kapërcejmë territoret malore përmes rrugëve dredha-dredha, do të shikojmë një bregdet të egër, do të shëtisim nëpër disa qytete që janë si një mozaik venecian i kishave bizantine me afreske, xhami, teqe bektashiane, shtëpi të bardha osmane, kombinatet e vjetër të epokës sovjetike dhe shumë bunkerë të vegjël.

Por, pa dyshim, zbulimi më befasues janë 400 kilometrat e bregdetit piktoresk, ku rëra e Adriatikut bashkohet me gurët e plazheve të detit Jon.

Tirana në kërkim të kohës së humbur
Tirana, kryeqyteti në qendër të vendit ballkanik, pak e ngjashme me çdo kryeqytet tjetër europian, i shpëton çdo kategorie ose përkufizimi.

Ajo strehon muze që ruajnë dëshmitë e shkëlqyera të së kaluarës ilire (origjina e të cilave daton nga Epoka e Hekurit), me një shesh ku rreth tij ndodhen disa nga ndërtesat historike, nga xhamia e Et’hem Beut, një nga më të bukurat në Shqipëri, deri në epokën fashiste (1930), apo deri te tunelet e fshehta të Luftës së Ftohtë.

Kështu është Tirana, një qytet ku jeta rrjedh pareshtur, si në trafikun e dendur të qendrës, ashtu edhe në pazarin e qytetit apo në xhaminë gjatë lutjeve të pasdites.

Në sheshin kryesor, ”Skënderbej” ndodhen trotuare të reja dhe lulishte me kopshtet e vogla, ku fasadat e viteve 1930 ndajnë hapësirën me rrokaqiejtë modernë. Përveç xhamisë së Et’hem Beut, ia vlen të vizitohet edhe Muzeu Kombëtar, si dhe galeritë kombëtare të artit, në të cilat gjenden kryevepra të shumta.

Por më shumë sesa për të parë, Tirana ka shumë për të jetuar. Buzë lumit Lana, ndodhet lagjja e quajtur ”Blloku”, lagje e vjetër ku banonte nomenklatura komuniste, e shndërruar tashmë në një zonë të kohës së lirë dhe argëtimit, sidomos gjatë fundjavave.

Qyteti duket i vendosur për të rifituar kohën e humbur gjatë dimrit të gjatë komunist dhe tashmë jeton në një mjedis shumë të gjallë, ku ndërthuret aroma e Lindjes së Mesme me dëshirën për të qenë europian. E gjithë kjo përzihet me tingullin e lutjeve të pasdites gjatë Ramazanit në Rrugën e Kavajës dhe atmosferën në tregun e Pazarit të Ri.

Berati qyteti i “një mbi një dritareve”
Disa nga bukuritë kryesore të vendit janë të fshehura në peizazhin e thyer dhe malor të Shqipërisë juglindore, midis lumenjve të egër që përshkojnë kanionet dhe liqenet mijëra vjeçare. Berati, i pagëzuar gjatë fazës komuniste si qyteti i mbivendosjes së dritareve, është një qytet osman i zhytur në një natyrë të virgjër, tepër të paprekur falë vendndodhjes së tij.

Është e vështirë të gjesh një vend të ruajtur kaq mirë në Shqipëri. Me tre lagje të vjetra Mangalem, Goricë dhe Kala, si dhe shumë xhami e kisha, qyteti me mijëra dritare ka 2 400 vite histori dhe është i jashtëzakonshëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Berati i vendosur buzë të lumit Osum, në shtëpitë e tij osmane me mure të bardha disponon edhe një muze të shkëlqyer etnografik. Në krye qëndron kështjella e madhe, ende e banuar dhe e zhytur si në një ëndërr, me një kishë në qendër ku shfaqet koleksioni i ikonave nga mjeshtri Onufri (shek.XVI).

Gjatë ditës, mund të vizitojmë këtë “muze të gjallë” dhe vende specifike si Xhaminë e Beqarëve, Xhaminë Mbret, më e vjetra në Berat, me një çati prej druri të gdhendur në mënyrë spektakolare.

Pranë saj, ndodhet edhe teqeja Havelti, si dhe kështjella, në majë të Beratit ku mund të arrish përmes një labirinti rrugicash me shtëpi të bardha. Pjesa e krishterë përfaqësohet nga kisha e Virgjëreshës, që u shpëtua nga braktisja e kohës së komunizmit dhe sot na lejon të shijojmë një brendësi të mrekullueshme.

Gjirokastra qyteti-muze i Enver Hoxhës
Pa lënë këtë rajon të brendshëm të Shqipërisë, duke udhëtuar thellë në jug, gjejmë një vend unik, në Shqipëri dhe në Ballkan: Gjirokastrën ose Argirocastro (kështjellë argjendi, në shqip), një qytet i vendosur në një luginë të madhe, i rrethuar nga fshatra që fshehin kishat e lashta bizantine.

Për të kuptuar origjinën e emrit, është më mirë ta sodisni atë në ditë me shi, kur gurët e shndritshëm të kalasë së madhe, plot legjenda dhe me një reputacion të trishtuar, pasi gjatë periudhave të ndryshme është përdorur si burg.

Gjirokastra ndodhet 215 kilometra në jug të Tiranës dhe është një prej destinacioneve më interesante në vend, me një kështjellë të madhe me pamje nga lugina e gjerë dhe pjellore e Drinit dhe një pazar që mbetet qendra e qytetit për turistët.

Në këtë qytet pikaset harmonia e disa shtëpive me kulla, që mund shihen me sy të lirë. Disa prej tyre mund të vizitohen dhe të tjerat thjesht të vëzhgohen nga jashtë.

Qindra prej këtyre shtëpive monumentale që datojnë që nga epoka osmane, përbëjnë qendrën historike të kurorëzuar nga kështjella. Qyteti gjatë periudhës komuniste mori emrin “qytet muze”.

Fakti që ishte vendlindja e diktatorit komunist Enver Hoxha (1908-1985), e ruajti qytetin nga ndërhyrjet arkitektonike, siç ndodhi në zona të tjera të vendit. Falë kësaj, vizitorët mund të kontaktojnë me një fragment pothuajse të paprekur të Shqipërisë që nga shekulli XIX.

Ksamil dhe Riviera Shqiptare
Shqipëria laget nga deti Jon në të ashtuquajturën Riviera Shqiptare, me një bregdet të thepisur shkëmbor që kulmon në Ksamil. Por i gjithë bregdeti, nga Vlora deri në Ksamil tregon bukurinë e Mesdheut me ujëra gjithnjë e më të pastra dhe më transparente. Përgjatë bregdetit, minaret e kishave me kambanat e tyre, i japin vendit një bukuri magjepsëse.

Në verë, plazhet e rivierës janë plot me njerëz dhe jetë, duke thyer qetësinë e ujërave të kristalta.

Ndërtuar në vitet 1960 pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, qyteti i Ksamilit gjatë stinës së verës është një atraksion i mahnitshëm turistik, në të cilin ndodhen tre ishujt e vegjël të virgjër larg bregdetit.

Me kalimin e kohës, plazhet janë populluar duke ndërtuar bare, plazhe, hotele dhe sot është një nga destinacionet më të njohura. Por Ksamili, në të vërtetë, është vetëm një qytet i vogël, i përshkuar nga një rrugë që të çon në Butrint. Më të frekuentuarit nga njerëzit janë zakonisht plazhet që dalin nga tre ishujt.

Por, këshilla jonë është eksplorimi i të gjitha plazheve, që ju lejon të zbuloni vende më të qeta ku të vendosni peshqirin tuaj.

Syri i Kaltër
Jo shumë kilometra larg Ksamilit, gjendet Syri i Kaltër, një burim 50 metra i thellë nga i cili burojnë ujërat e një ngjyre të bukur.

Çdo vit ka mijëra turistë që ndihen të lumtur teksa ngrihen herët për të shijuar vendin, të vetëm. Është një emocion i veçantë. Zona përreth ujëvarës nga vjen edhe emri i vendit “Syri i Kaltër’’, është e hapur për vizitorët gjatë gjithë vitit, por gjatë verës është tejet e mbushur me turistë, sidomos në mesditë.

Nëse arrijmë të shmangim turmat (parkimi në mes të mëngjesit bëhet xhungël e vërtetë) do të shijojmë një burim fantastik me një ujë akull të ftohtë të rrethuar nga pyje të dendura.

Dhe një paralajmërim: noti është i ndaluar, kështu që duhet t’i rezistoni tundimit të hidheni në të. Nga atje, dhe nëse keni makinë, mund të bëni një rrugëkalim të vogël dhe të vizitoni Mesopotamin, një fshat ku ndodhet kisha ortodokse e Shën Nikollës.

Butrinti dhe trashëgimia greke
Butrinti është shpërblim për ata që guxojnë të arrijnë në majën jugore të Shqipërisë, pothuajse në kufi me Greqinë. Ky park arkeologjik, i shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, tregon prova të rëndësishme të kalimit nëpër zonën e grekëve, bizantinëve dhe venedikasve, të rrethuar nga bimësi e errët dhe të freskët.

Në gjirin e Butrintit natyra është luksoze, shkurret e gjelbra mbulojnë mure, mermerë, mozaikë, madje fshehin vizionin e qiellit.

Parku Kombëtar i Butrintit është një territor gjeografikisht kurioz, me një ekosistem mesdhetar që përzihet me lagunën tipike. Këtu bregdeti krijon një gji që duket më shumë si një liqen, ai i Butrintit, i ndarë nga deti Jon nëpërmjet kanalit Vivari.

Megjithatë turistët vijnë kryesisht për të parë rrënojat e Butrintit, në zemër të parkut, në një ndërtesë me pamje nga liqeni. Ata janë vendi i vetëm i trashëgimisë botërore në bregdetin shqiptar, një trofe që pret udhëtarin në fund të itinerarit, përmes tokës së shqiponjave, që lë një kujtim të shkëlqyer.

Butrinti është dëshmia e vendbanimeve të ndryshme urbane që vendi ka pasur ndër shekuj dhe është një vizitë e rëndësishme. Atmosfera më e mirë është veçanërisht në orët e para të mëngjesit, mes zhurmave që na zhysin në natyrë, nga e cila papritmas dalin strukturat spektakolare arkitekturore të së kaluarës.

Ata të kujtojnë vendet e fiseve Maja të Amerikës Qendrore, por në një mjedis mesdhetar.

Butrinti e ka origjinën në Greqinë e lashtë dhe ishte i njohur në antikitet për praninë e tempullit “Asclepius’’, i perëndisë së mjekësisë, i cili tërhoqi besnikë nga e gjithë Ballkani.

Butrinti u pushtua nga romakët, bizantinët, venedikasit dhe u sundua nga Ali Pasha deri sa ra në harresë.

Në 1927, një grup arkeologësh italianë filluan të zbulojnë sekretet e tyre. Pasuritë e tij janë “Kulla Veneciane’’, tregu i atëhershëm, palestrat, banjat romake, si dhe teatri romak, ku ende shfaqen dhe organizohen ngjarje kulturore.

Qyteti i vjetër i Himarës
Po në bregdetin Jon, por më në veri, ndodhet qyteti i vogël i Himarës, nga i cili mund të shihet ishulli grek i Korfuzit.

Përveç pjesës së lartë dhe të lashtë të Himarës, ekziston një pjesë tjetër e ulët me shëtitore, që është bërë një nga qytetet më të këndshme bregdetare në rivierë. Në horizont është ishulli i Korfuzit, si dëshmi se sa afër Shqipërisë është Greqia jo vetëm gjeografikisht, por edhe në kulturë.

Në fakt, në Himarë ka një popullsi të vjetër greke që flet greqishten me dialekt ku përdoren shumë fjalë nga greqishtja e lashtë, dialekt që flitet vetëm në Himarë, Mani dhe Kretë.

Jehona e muzikës greke ndihet kudo, po ashtu edhe kuzhina greke me musaka, xaxiqi dhe sallatë greke, ushqime që gjenden në gjitha menutë e restoranteve.

Kruja zemra e Shqipërisë
Ishte kryeqyteti i parë i vendit të shqiponjave, dhe kështu njihet Shqipëria gjerësisht. Dhe, në të vërtetë, Kruja të kujton një fole zogjsh në një shpat të pjerrët, në verilindje të Tiranës.

Ishte selia e Skënderbeut, heroi kombëtar, që drejtoi rezistencën në shekullin XV kundër turqve, tashmë e shndërruar në një muze etnografik kushtuar figurës së heroit të madh shqiptar. Në qytet, pazari i vjetër mbijeton i rrethuar nga ndërtesa moderne, të vogla por aq të bukura sa që mund të përkufizohet si një përqendrim i shpirtit osman.

Kruja është një nga pazaret më të mira në Shqipëri, me rrugën kryesore dhe disa rrugica të rrethuara me shtëpi të ulëta tradicionale, të cilat i rezistojnë blloqeve të betonit që rrethojnë qendrën historike.

Në këtë qytet gjenden edhe disa artizanë, ku mund të bëni blerje kurioze, nga reliket fashiste apo komuniste, deri në disa antikitetet apo fyej druri tradicionalë.

Teqeja e Krujës është veçanërisht e bukur, e ndodhur në një vend piktoresk, nën hijen e një ulliri shekullor. Në rast se do të vizitoni këtë vend, do të ndieni një frymëzim, pasi Kruja shkakton nostalgji për kohën e kaluar.

Shkodra e rafinuar
Shkodra, kryeqyteti kulturor i Shqipërisë, është qyteti më europian në vend, një vend i rafinuar dhe në të njëjtën kohë popullor, që befason me rendin arkitektonik të rrugëve, në kontrast me kaosin përreth dhe me modernitetin e muzeut fotografik.

Vendi befason me Xhaminë e Plumbit, që mbizotëron në rrafshin e Shkodrës, nën hijen e kalasë së madhe të Rozafës dhe për birraritë me tarraca në bregun e liqenit të Shkodrës.

Në rrugët e këmbësorëve, ka ndërtesa elegante të shekullit XIX dhe madje një kafene e famshme e stilit të Europës Qendrore, “Cafè Grand”, një monument kulture dhe simbol i qytetit, që përgjatë shekullit XIX ishte vend takimi për intelektualët dhe atdhetarët.

Duke vizituar Shkodrën ndihesh pothuajse në shtëpi, por mos u mashtroni. Është pikërisht në veri që shqiptarët kanë gjetur izolimin e nevojshëm për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe kanë forcuar identitetin e tyre.

Muzeu i fotografisë “Marubi’’ është gjithashtu një muze historie që gjurmon epokën e familjes homonime, me origjinë italiane, që mbërriti këtu në mesin e shekullit XIX në kërkim të azilit.

Ajo që ata gjetën, ishte një vend i ndërtuar në mesjetë, të cilin filluan ta fotografojnë, duke i dhënë jetë pamjeve që kapin në mënyrë të përsosur peizazhe, tradita, aristokraci, zakone popullore dhe me pak fjalë, jetë shqiptare.

Por monumenti më i rëndësishëm i Shkodrës është padyshim kalaja e Rozafës, një nga atraksionet kryesore historike të Shqipërisë. Ju mund ta shihni nga kilometra larg dhe nga brenda keni një pamje që shtrihet në det, me liqenin e madh, rrjedhën e lumenjve, Buna dhe Drin dhe fushat e Shkodrës.

Ekskursione në Alpet Shqiptare
Edhe pse në Shqipëri ka dete dhe qytete interesante, thelbi i vërtetë i popullit shqiptar qëndron në male. Në luginat e pjerrëta dhe të paarritshme të verilindjes së vendit, gjendet shpirti i shqiptarëve, ku identiteti i tyre është ruajtur me shekuj.

Ai është gjithashtu vendi ku natyra ka fytyrën e saj më të mirë, peizazhe të gjera të virgjëra, lumenj që gërmojnë kanione të thella, liqene të kaltra dhe pyje shekullorë.

Thesaret e vërteta të trashëgimisë mjedisore fshihen në qoshet më të largëta të Alpeve shqiptare, në një mjedis pothuajse të egër. Aty mund të lundrosh në një fjord, të kurorëzosh kreshtën e një mali ose të nisesh në kërkim të kullës (kulla të fortifikuara mesjetare) në mes të një natyre pothuajse primitive, të zbukuruara me minare dhe ura osmane.

Ka edhe vende si Thethi ku nuk është e lehtë të arrihet. Por përpjekja për t’i vizituar këto vende shpërblehet, sepse jo vetëm hyrja në një rajon të largët dhe të egër të Europës.

Alpet e Thethit janë pikënisja për ekskursione të shumta në Alpet shqiptare, njëra prej të cilave, përmes shtigjeve që përshkojnë malet, nga ku mund të shkohet në luginën e Valbonës.

Kepi i Rodonit, atraksioni i të gjitha ngjyrave
Gjiri i Kepit të Rodonit, në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, ka ujëra të kaltra dhe të gjelbra, ku kodrat e buta fundosen midis bunkerëve të ndryshkur dhe kishave të vjetra.

Ndoshta për shkak të vendndodhjes së largët, qetësisë që merr frymë ose limaneve të vogla gjysmë të fshehura, Kepi i Rodonit është destinacioni i preferuar i fundjavës për shqiptarët e zonës.

Në këtë vend janë gjetur relike të anijeve ilire 2 300-vjeçare që konfirmojnë të kaluarën e rajonit. Plazhi më i famshëm është gjiri i Lalzit, një shtrirje e jashtëzakonshme e rërës që kufizohet me fusha dhe kodra.

Plazhet janë të pajisura mirë dhe rrugët janë të shtruara. Ky vend është shumë tërheqës për qytetarët e Tiranës dhe Durrësit në periudhën e verës.

Korça – Parisi i Shqipërisë
Qyteti i Korçës, në juglindje të vendit, njihet nga shqiptarët si “Parisi i Shqipërisë’’, sepse intelektualët që jetuan aty në fillim të shekullit XX, e pajisën atë me atmosferë kulturore dhe kozmopolite.

Korça, e rrethuar nga peizazhe që ndryshojnë në mënyrë drastike sipas stinëve, është qyteti më lindor në Shqipëri, si në aspektin gjeografik ashtu edhe kulturor.

Personat, të cilët vijnë për herë të parë në këtë qytet, befasohen nga përzierja e aromave dhe tingujve, veçanërisht të forta në pazar, ku gërshetimet e tregtarëve dhe klientëve ndërthuren me tingujt metalikë të tepsive të aluminit në të cilat shërbehet byrek.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar paraqet thesaret e ruajtura në kishat e afërta të Voskopojës dhe në qytet zhvillohet një festë për nder të birrës që mban emrin e qytetit dhe gatime tipike si lakrori.

Atmosfera në Korçë është unike, me shtëpi të restauruara në zonën e vjetër të qytetit, me një xhami dhe një katedrale ortodokse, që shënojnë përkatësisht përzierjen myslimane dhe ortodokse të vendit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com