Loading...

Jemi Republikë e pastër parlamentare, Kuvendi e zgjedh dhe e shkarkon Presidentin

“Kuvendi i Shqipërisë e shkarkon Presidentin e Republikës dhe procesi certifikohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa Presidenti i Republikës, në gjuhë popullore, i vjen anash Kuvendit në kuptimin e të drejtës Kushtetuese për të shkarkuar apo shpërndarë Kuvendin”.

Kështu u shpreh sot në një prononcim për mediet, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke iu përgjigjur aludimeve se Presidenti i Republikës mund të shpërndajë parlamentin pas 15 marsit.

“Diskutohet me patos në lloj-lloj banaku, studiosh, dyshemeje, rruge, bulevardi, se njëri që fryhet do të dali e do të shpërndajë parlamentin, e si këto historia. Të jemi serioz për gjërat që flasim. Republika e Shqipërisë është një Republikës e pastër parlamentare, e kulluar, dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta i zgjedhur në atë detyrë nga Kuvendi i Shqipërisë e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës së Presidentit të Republikës për të pasur këtë lloj qasje në marrëdhënie me Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.

Ai theksoi se “Presidenti i Republikës ta ketë të qartë se është nën hetim nga Kuvendi, për sa i përket shkeljeve të njëpasnjëshme Kushtetuese”.

“Dua ta nxis komisionin hetimor që në një kohë sa më të shpejt t’i lexojë para shqiptarëve shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti. Mos ja zini veshët kot dhe mos jepni më arsye për diskutim në tryezat e kafeneve dhe shtëpive të shqiptarëve me historinë që Presidenti pas 15 marsit shpërndan Kuvendin. Është qesharake dhe nuk duhet marrë në konsideratë”, tha Balla.

Lidhur me mitingun e 2 marsit, Balla tha se “si organizator i vjetër i shumë e shumë protestave dhe takimeve elektorale të PS-së më duket si diçka normale të mbledhësh tok anëtarë partie që kanë mbetur siç thoshte Basha, nga falimentimi i shpk-së.

“Kjo që po ndodh nuk ka të bëjë me marrëdhënie ndërinstitucionale por kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me një garë të brendshme brenda opozitës, ku është çelur një sezon gare për lidershipin e saj. Ne kemi njohur deri tani kryetar Bashën, asi të mbaroj ky proces zgjedhor brenda opozitës do të dimë kush është kryetari i opozitës”, tha Balla./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com