Një moment spontan prej asgjëje, diçka abstrakte që e ndeshim në përditshmëri e së cilës nuk i japim vlerë, por që me një ndërhyrje artistike të lehtë, u jep rëndësi gjërave të vogla, thelbësisht të çmueshme duke krijuar dimensione të paimagjinuara më parë.
Artisti Greg Rama ka zgjedhur të krijojë nga asgjëja, të komunikojë me koncepte abstrakte, por njëkohësisht konkrete, aty ku gjërat e thjeshta në dukje “harrohen”, por që në të vërtetë gëzojnë një rëndësi mjaft të veçantë në pavetëdijen dhe vetëdijen tonë. Pas suksesit të ekspozitës “Fidem”, artisti pamor vjen sërish me një instalacion, si një komunikim i pagëzuar në gjuhën latine “Ex Nihilo”.
Instalacioni i krijuar nga hiçi, ka rrokur ngacmime e shkëndija nga dimensione krejtësisht të reja e të ndryshme. Për Gregun, koncepti mbetet abstrakt ndërsa mesazhi i qartë për këdo.
“Koncepti le të themi është pak abstrakt, ka të bëjë me mungesën e gravitetit, ka të bëjë me kompozimin simetrik sikurse asimetrik në të treja sallat. Zanafilla e kësaj ka qenë ideja për të sjellë në pah diçka të cilën ne e ndeshim çdo ditë, e cila mund të jetë një fije bari dhe nëpërmjet një ndërhyrje artistike, kjo mund të marrë dimensione krejtësisht të reja dhe të paimagjinuara më parë. Ka patur disa shkëndija në drejtime të ndryshme që kanë ndikuar tek unë për ta krijuar këtë. Sikurse thashë, njëra prej tyre, ideja e një fenomeni që ne e ndeshim çdo ditë por pothuajse e neglizhojmë, jo për keq sepse duam ta anashkalojmë por sepse jemi të fokusuar tek e përditshmja jonë, tek rutina jonë dhe ndonjëherë harrojmë që edhe gjërat e thjeshta në dukje, gëzojnë një rëndësi mjaft të veçantë si tek pavetëdija jonë, si tek vetëdija jonë. Kjo më ka bërë të reflektoj dhe ta sjell në pah këtë gjë”,-shprehet artisti.
Për të, instalacioni erdhi nga “Out of Nowhere”, pra nga asgjëja e asgjësë.
“Nga latinishtja, se jam i fiksuar këto kohë më latinishten, fiksim i radhës ky! Do të thotë Nga Asgjëja”, pra ne krijojmë nga asgjëja. Ka qenë një moment që realisht kjo erdhi nga asgjëja “Out of Nowhere” dhe më pëlqeu që ky emër mund të përshtatej shumë mirë me këtë ide. Le të mos e personalizojmë shumë këtë pjesë, por nëse pyetja jote është: “A ka lidhje sadopak kjo punë me ngjarjen fatkeqe të tërmetit”, sigurisht edhe ajo ka ndikuar. Ka ndikuar tmerrësisht shumë tek unë, dhe tek krijimtaria ime”.
Sipas tij, çdo përvojë e tij, çdo punë ka pasur e ka motive thellësisht personale.” Erdhi natyrshëm, u zhvillua po aq natyrshëm dhe ja ku jemi sot, ku ky motiv u konkretizua”, -shprehet Gregu.
Krijimtaria është kontrast e mbi të gjitha komunikim përmes formës. “Duhet urryer nga të gjithë, duhet sharë e mallkuar! Bej shaka, se mos e marrin e bëjnë lajm do që ta urrejnë të gjithë ekspozitën! Kjo është një çështje personale, unë thjesht dua të komunikoj me publikun dhe kam zgjedhur këtë formë. Të bëjnë ç’të duan”-thotë ai.
Për të sjellë këtë ekspozitë, Gregu ka bashkëpunuar me kuratorin Ardian Isufi dhe Altin Likën. Ekspozita e tij do të çelet nesër dhe do të qëndrojë e hapur deri më 15 mars në galerinë Fab.
Greg Rama ka filluar që në moshë të re të shfaqë talentin e tij në fushën e arteve pamore, duke ecur rrugës së babit të tij. /atsh