Ministria e Shëndetësisë tha sot se Shqipëria vijon të mos preket nga COVID-19.
Në një deklaratë publike, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës së Ministrisë së Shëndetësisë, Eugena Tomini, deklaroi se 3 persona të dyshuar që u testuan mbrëmjen e djeshme në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezultuan negative.
“Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kine e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 29 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthime komunitare”, tha Tomini.
Po ashtu Tomini tha se “nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore detare dhe tokësore, po kryhet monitorimi i temperaturës në vijimësi për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672 persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare.Në 24 orët e fundit thirrjet në nr e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon udhëtarët që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. MSHMS rekomandon qytetarët që kane udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore”, tha ajo./atsh