Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar sot kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë dy shtetasve të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Në njoftim thuhet se, “në zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit”.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve: F. H., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; T. Ç., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Brenda 48-orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.
“OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit./atsh