Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton opinionin publik në lidhje me përfundimin e procesit të vlerësimit dhe pikëzimit paraprak të kandidatëve, në kuadër të procesit të përzgjedhjes së tyre për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, në tre pozicionet e lira në fushat e së drejtës administrative, civile dhe penale.
KLGJ sqaron se nga lista fillestare prej 21 kandidatësh, janë kualifikuar për të vijuar procedurën e përzgjedhjes për emërim tre kandidatë, për të cilët Këshilli ka vendosur zhvillimin e intervistave në seanca dëgjimore në datën 27.2.2020, duke filluar në orën 10.00.
Në përfundim të këtij procesi, Këshilli do të kryejë vlerësimin dhe pikëzimin përfundimtar të tre kandidatëve jogjyqtarë, nga katër pozicione që janë gjithësej dhe do t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tyre gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.
“Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson në mënyrë të veçantë interesin e publikut dhe do të informojë në vijimësi mediet për të gjithë hapat e matur që do të ndjekë për plotësimin me gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që ajo të përmbushë rolin e saj të rëndësishëm për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore dhe për forcimin e besimit të publikut te sistemi gjyqësor./atsh