Presidenti Ilir Meta i ftuar në një studio televizive sqaroi arsyet që kanë sjellë thirrjen prej tij të tubimit të 2 marsit në bulevard.
“Tashmë kemi dhe disa puçistë, të cilët kanë dalë zbuluar, të cilët kanë realizuar një grusht shteti, që duan të mbyllin aktin final të rrëmbimit mafioz në kundërshtim me Kushtetutën pikërisht dhe Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që anëtarët e ardhshëm të kësaj Gjykate të jenë të standardit Dvorani, të Artave, të Etildave dhe të gjithë atyre që për besnikëri të verbër apo për pengmarrje nga organizata që po drejton sot Shqipërinë janë gati të shkelin Kushtetutën me të dyja këmbët, të shkelin ligjin dhe çdo gjë. Të falsifikojnë dokumente shtetërore në mënyrë të strukturuar, kriminale, sikurse u demonstrua qartë edhe me provat e fundit”, tha presidenti Meta.
Ai solli në vëmendje argumentet që i ka paraqitur në konferencat e njëpasnjëshme për mediet në Presidencë.
“Më 2 mars unë u jam drejtuar qytetarëve shqiptarë. Atyre do t’u isha drejtuar edhe në dhjetor me rastin e Lëvizjes Studentore, por ajo u shty për disa arsye. Tani më 2 mars unë do t’i drejtohem të gjithë popullit shqiptar dhe të gjithë botës ndërkombëtare për t’u bërë të qartë, që mbi Kushtetutën qëndron vetëm sovrani dhe vullneti i tij”, u shpreh Meta.
I pyetur për objektivat e tubimit, Meta tha: “Objektivat e mia janë shumë të qarta. E para, një herë të ndërgjegjësoj të gjithë qytetarët shqiptarë për grushtin e shtetit. Së dyti, t’u bëj të qartë që instalimi i grushtit të shtetit asgjëson përfundimisht liritë dhe të drejtat e tyre demokratike që garanton në letër sot Kushtetuta e Shqipërisë, por që është e pamundur t’i garantojnë institucionet e kapura”.
“Unë përgjegjësinë e marr vetë i pari dhe kam plotësisht të drejtën që përmes dekreteve të rivendos rendin kushtetues në vend në rast se parlamenti do të vazhdojë të thellohet më tej në puçin e tij dhe në veprimtarinë e tij anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare. Dhe përgjegjësinë e marr unë. për mua ka rëndësi që populli të përgjigjet dhe unë jam i bindur që populli do të përgjigjet. Do t’i zbatojë populli dekretet e Presidentit meqenëse institucionet janë të kapura dhe praktikisht të vdekura në kuptimin e funksionimit”, u shpreh ai.
Në lidhje me pyetjen përse mazhoranca kërkoi opinion nga Komisioni i Venecias në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Meta u shpreh se: “”ata e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë”.
“Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit”, tha Meta.
“Unë kam respektuar Venecian, e kanë kërkuar ata, se unë nuk mund të kërkojë Venecian e të vë në diskutim diçka që e kam bërë në përputhje më Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë”, u shpreh ai.
“Por, meqenëse e kërkuan ata, shumë mirë bënë që e kërkuan ata, kërkova edhe unë, për aktet që ka bërë Kuvendi në mënyrë që ata, të shikojnë se çfarë ka ndodhur realisht dhe jam i sigurt që kur unë të shkoj në seancën plenare në Venecia, që po më çon Rilindja, ata do ta kuptojnë edhe më qartë se çfarë ka ndodhur këtu”, tha Meta.atsh