“Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë, por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, ndërsa duke iu drejtuar qytetarëve u shpreh se “të njëjtat mendje të shthurura, që ju shqetësuan keq me lajmet fallco dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim”.
“Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë”, tha Rama.
Më herët, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se “nuk duhet të ketë panik për situatën e koronavirusit në Shqipëri, ku deri tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar”, ndërkohë që theksoi se “laboratori i ISHP-së është pjesë e rrjetit europian të laboratorëve për sëmundjet e rrezikshme, që e përcakton diagnozën e koronavirusit”./atsh