Loading...

Njohuritë e bashkive për integrimin në BE/ Prezantohet raporti i dytë i vlerësimit në Vlorë

Në Vlorë u zhvilluan një sërë aktivitetesh të cilat kishin në fokus procesin e integrimit dhe punën që po bëhet nga qeverisja vendore në lidhje me këtë proces, në kuadrin e prezantimit të Raportit të dytë “Bashkitë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.

“Bashkitë për në Europë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës, zhvilluan debatin publik mbi punën e kryer deri tani, në një takim që u zhvillua në mjediset e pallatit të kulturës “Labëria”, me pjesëmarrjen e ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, zv/ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, kryetarit të bashkisë, Dritan Leli.

“Roli i autoriteteve rajonale dhe lokale në procesin e integrimit në BE dhe zbatimi eventual i rregullave të BE-së, të cilat duhet të merren në konsideratë. Duhet të gjendet një ekuilibër i duhur midis qeverive qendrore, rajonale dhe lokale, i cili mbështet fort zbatimin e reformave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.

Në fjalën e vet, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi mes të tjerash se, BE-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i BE-së pas atij rrugëtimi që do të duhet të vijë pas çeljes së negociatave.

Duke ju referuar Samitit të Zagrebit, ku do të diskutohet për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ai tha se, Shqipëria po arrin në një moment shumë të rëndësishëm, në një moment kyç për të ardhmen, për të cilën Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, po bën të pamundurën që, gjithçka të jetë gati për këtë moment të rëndësishëm.

“ Ne, i bëjmë thirrje qeverisë qendrore dhe qeverisjes vendore, për të ndërmarrë hapat e nevojshme që gjithçka të jetë gati”, theksoi Soreca, duke evidentuar rolin e rëndësishëm që ka qeverisja vendore në këtë të ardhme.

Sipas tij, nëse do të merret ai vendim në Samitin e Zagrebit, do të vijnë disa momente dhe përpjekje shumë të rëndësishme për qeverisjen vendore, çka do të thotë që, të gjitha njësitë e qeverisjes vendore do të duhet të jenë të përgatitura dhe gati, për këto detyra të reja që do të ndërmarrin.

“Administrata lokale luan një rol shumë të rëndësishëm. Njësoj siç ndodh në shtetet anëtare të BE-së, zbatimi i Acquis të BE-së në Shqipëri, mbështetet tek bashkitë e vendit në një masë prej 70 përqind”, theksoi Soreca, duke nxitur të gjitha bashkitë që të përdorin këtë raport të vlefshëm në punën e tyre në vijim dhe që së bashku, autoritetet dhe qytetarët, të gjejnë mënyra për të përmirësuar nivelin e shërbimeve publike dhe më në përgjithësi performancën e tyre, sa i përket integrimit në BE.

“ Kjo në vetvete na sjell shumë mundësi dhe shanse shumë të mira. Kjo punë do të realizohet edhe me burime shtesë edhe me kapacitete të reja njerëzore. Sepse do të ketë shumë punë, do të ofrohen mundësi më shumë për të rinjtë, në të gjitha bashkitë e vendit që do të ndërmarrin këto detyra”, theksoi më tej ambasadori i BE-së në Tiranë, ndërkohë që shprehu besimin se, janë bashkitë, është qeverisja vendore ajo e cila është më pranë qytetarëve, e cila u shërben qytetarëve dita ditës me ato shërbime për të cilat ata kanë më tepër nevojë.

Ai u ndal në investimet madhore të realizuara nga BE-ja në Vlorë, duke veçuar ndërtimin e “Lungomares”, financimin e Planit të Menaxhimit të Ujrave të Zeza, ndërtimin e “By-pass”-it të qytetit etj. ndërkohë që nënvizoi se, mbështetja me projekte të tjera do të vijojë edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi se, Raporti i dytë i vlerësimit është pasqyra ku duhet të shohim vetveten, ku pasqyrohet puna që ka bërë qeverisja vendore në kuadrin e procesit të integrimit. Ai e vuri theksin tek angazhimi aktiv i qeverisjes vendore në zbatimin e politikave të BE-së, si një kusht për plotësimin e objektivave.

Raporti i Vlerësimit i vitit 2018 vlerëson një rritje të zotërimit të procesit nga ana e Qeverisë Shqiptare. Në të, përcaktohet se, Ministria e Brendshme është e përkushtuar që ky ushtrim të jetë i përvitshëm.

Kryetari i bashkisë, Dritan Leli, u ndal në disa nga çështjet dhe detyrat kryesore që dalin përpara bashkive në kuadrin e procesit të integrimit.

“Ne besojmë fuqimisht se, proceset e ndryshimit mund të jenë të qëndrueshme dhe të gjenerojnë ndikimin e dëshiruar nëse ato mbështeten nga niveli lokal, të ndihmuar nga qytetarë të angazhuar, aktivë dhe të përkushtuar në një aleancë strategjike me administratën publike dhe autoritetet që ndajnë të njëjtin vizion”, theksoi Zoti Leli ndërkohë që, shtoi se, decentralizimi, si një shtyllë e procesit të reformës demokratike është thelbësor për kohezionin shoqëror, stabilitetin dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të ardhmen e Europës.

“Nëse Europa dëshiron të jetë sa më pranë qytetarëve të saj të ardhshëm atëherë ajo duhet të jetë më vendore”, theksoi Leli. Sipas tij, BE-ja ka të bëjë me njerëzit, për njerëzit dhe përreth njerëzve. “Bashkitë janë krijuese të politikave, por edhe ofruese të shërbimeve sipas të drejtave dhe detyrimeve, të përfshira në legjislacionin kombëtar. Programet e BE-së duhet të njohin këtë fakt, duke thjeshtuar rregullat financiare dhe krijimin e mbështetjes për stafin e nëpunësve civilë të qeverisjes vendore, përmes instrumenteve dhe lehtësive të tij”, shtoi Leli.

Në këtë arsyetim, ai sugjeroi se, është e nevojshme të implementohet një proces konstruktimi, më gjithëpërfshirës në të gjitha fazat e planifikimit, programimit, dhe vendimmarrjes për të gjitha çështjet që prekin qeverisjen vendore, duke marrë parasysh rolin specifik, kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e qeverive vendore, të cilat janë të ndryshme nga aktorët e tjerë vendorë, pra sektori privat dhe ai civil.

Bashkia Vlorë është tashmë pjesë e një serie projektesh IPA, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ku disa prej tyre kanë si qëllim binjakëzimin, duke përmirësuar kapacitetet administrative të autoriteteve lokale, duke trajnuar stafin dhe duke mbështetur riorganizimin e strukturave të administratës.

Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të niveleve të ndryshme të qeverisjes vendore, anëtarë të këshillit bashkiak, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj e të reja, studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, etj.

Më herët, në mjediset e bashkisë së qytetit u zhvillua një takim me të rinj studentë të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, ku u diskutua për vendin dhe rolin që do të kenë të rinjtë në procesin e integrimit, veçanërisht pas vendimit të pritshëm për çeljen e negociatave në Samitin e Zagrebit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com