Loading...

Paketa Anti KÇK/ Balla: Operacioni Forca e Ligjit do të ketë sukses me SPAK, garanci që hetimet do t’i bëjë drejtësia e re

Paketa Anti KÇK u bë tani, pikërisht sepse është garancia që hetimet do t’i bëjë drejtësia e re.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në një intervistë televizive se, “unë besoj që bashkëndaj me shumicën e qytetarëve që kjo është një goditje e rëndësishme e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, po të kemi parasysh që objektivi është identifikimi, vlerësimi, konfiskimi i pasurive të krijuara nga veprimtaria kriminale dhe grupe kriminale”.

“Reagimi i njerëzve është kuptimplotë dhe e mbështesim. Ajo që më bën përshtypje është edhe ajo para disa kohësh për Reformën në Drejtësi, opozita dhe komentues apo opinionistë që kundërshtojnë pa asnjë argument që bazohet në ligj dhe jo një model i shpikur nga Shqipëria, por është një model i suksesshëm i implementuar në vende të tjera me problematika të ngjashme në kohë të caktuara dhe që ka dhënë rezultate”, tha ai.

“Ligji i miratuar nëpërmjet aktit normativ i referohet, legjislacionit ekzistues organigramës së re të strukturës në drejtësi, ku bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me SPAK dhe gjykatën është zinxhiri i suksesit të këtij procesi. Brenda 48 orësh, çdo individ që është vendosur në lupën e Policisë ka të drejtën, por dhe detyrimin të plotësojë një formular me të gjitha pasuritë që disponon, të regjistruara ose jo në organet e Kadastrës, apo dhe llogari bankare, gjithçka tjetër dhe më pas Policia e Shtetit pasi bën verifikimet paraprake ka mundësinë që të garantojë një sekuestro preventive, kjo për synimin e thjeshtë që askush përgjatë kohës që ndiqet procedura në organet e drejtësisë në prokurori apo gjykatë të mos fshehë ndonjë pasuri”, theksoi Balla.

“Synimi është që nisur nga pasuritë të shkohet tek identifikimi i këtyre personave që kanë vendosur këto pasuri përmes veprimtarive kriminale. Ligji është shumë i qartë, veprimtaria shtrihet gjatë gjithë viti 2020, për të garantuar që gjatë gjithë këtij procesi të jetë bërë një skanim, një veting do ta quaja unë i të gjithë pasurive të grupeve kriminale dhe pse jo me fazën tjetër të goditjes anti KÇK për të shkuar më pas tek ata gjyqtarë dhe prokurorë që i kanë asistuar këta persona”, u shpreh Balla.

“Ky operacion është efikas për vlerësimin tim, sepse organi i akuzës që administron provat e mbledhura nga Policia e Shtetit është një organ që qytetarët kanë besimin, por dhe pritshmëritë më të mëdha, që është SPAK. Unë kam vlerësim se ata prokurorë e prokurore që kanë bërë betimin për të qenë në atë institucion janë prokurorë që e kanë kaluar Vetingun. Kanë kaluar një proces skrutinimi (kontrolli të kujdesshëm) shumë të detajuar që lidhet me pastërtinë e figurës, që lidhet me aspektin profesional, atë të pasurisë, por që kanë dhënë dhe dakordësinë paraprake për të qenë në monitorim ata dhe familjarë të tyre. Shpresa dhe besimi është që SPAK nuk do të veprojë më sikundër kanë vepruar prokurorët pararendës për skrutinimin e pasurive të këtyre grupeve kriminale dhe provat e reja, por qofshin dhe ky aspekt profesional i SPAK do të garantojë që ky proces të jetë i suksesshëm. Sikundër dhe gjyqtarët, do të veprojnë me një përgjegjësi maksimale. Kjo ka të bëjë jo vetëm me respektimin e ligjit, por dhe me kontrollin ndaj vendimmarrjeve jo ligjore që shpesh herë në këtë vend kanë dhënë gjyqtarët”, u shpreh Balla.

“Edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vlerën e vet për të kufizuar çdo lloj forme abuzimi që gjyqtarë dhe prokurorë mund të bëjnë në procesin penal kundër tyre”, tha Balla.

I pyetur nëse kjo paketë mbingarkon punën e SPAK, Balla tha se, “po të nisesh vetëm nga emrat e individëve të vendosur në lupën e OFL këto ditë e kupton qartë që ky është një detyrim i SPAK për sa kohë kolegët e tyre pararendës në këto dosje nuk kanë bërë detyrën siç duhet. Përtej lodhjes që ju flisni është shërbimi ndaj Shqipërisë që këto prokurorë duhet t’ia bëjnë Shqipërisë”.

I pyetur se pse kjo paketë vjen në këtë kohë, Balla theksoi, “sepse tani janë ngritur këto organe drejtësie. Më 18 dhjetor prokurorët e SPAK bënë betimin dhe ne kemi njoftuar në 25 nëntor të vitit të shkuar këtë paketë me një emërtesë kuptimplotë sikundër është anti KÇK. Garancia e këtij procesi që kemi nisur është pikërisht drejtësia e re që ka marrë detyrën vetëm pak javë më parë. Nëse nuk do ishte ngritur SPAK, nuk do kishim garanci tek suksesi. Nëse nuk do kishim garanci që dosjet dhe informacionet që ka mbledhur OFL nuk do shqyrtoheshin nga SPAK, padyshim që ky aksion do ishte i dështuar sikurse ka dështuar historikisht në këto 30 vite. Sepse edhe më herët në këto vite Policia e Shtetit në shumë raste ka bërë një punë shumë të mirë për dokumentimin e pasurive të grupeve të caktuara kriminale, por më pas prokuroria ka hapur pazarin bashkë me gjykatën. Por nuk është më Prokuroria ajo që ka qenë më parë. Është kjo njësi e ngritur dhe unë kam besim për shkak se shumë vite më pare në një vend tjetër të ngjashëm me Shqipërinë e kam parë diferencën mes drejtësisë vjetër dhe drejtësisë së re”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com