Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti në takim zv.presidenten e Interpolit, Sarka Havrankova, njëkohësisht edhe Drejtoreshë e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Policisë Çeke.
Në fokus të këtij takimi ishte diskutimi rreth çështjeve me interes të përbashkët, forcimi i bashkëpunimit dhe identifikimi i fushave në të cilat mund të bashkëpunohet në të ardhmen.
Drejtor Veliu vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Policisë së Shtetit dhe Interpolit, duke theksuar se Policia e Shtetit ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga Interpoli, që nga momenti që është bërë pjesë e kësaj agjencie.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë çeke, në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit të çdo forme, duke theksuar punën e mirë të oficerit të kontaktit të Republikës çeke, i atashuar në Ambasadën çeke në Tiranë, Adriatik Shino, i cili është i angazhuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy policive.
Veliu falënderoi zj. Sarka Havrankova që zgjodhi për të vizituar Shqipërinë të parën nga lista e vendeve që ka në angazhim dhe siguroi se Policia e Shtetit do të jetë gjithnjë e gatshme për të bashkëpunuar me partnerët për të arritur suksese të mëtejshme në betejë me krimin.
Zv.presidentja e Interpolit shprehu vlerësimin e saj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë Policisë së Shtetit në të ardhmen, për nevojat që do të ketë për mbështetje në këtë drejtim.
Havrankova informoi drejtor Veliun se Interpoli po planifikon të realizojë 2 trajnime për bazën e të dhënave RELIEV dhe në këtë kuadër sugjeroi që edhe Policia shqiptare të dërgonte oficerët e saj.
Lidhur me memorandumin e përbashkët që është në plan për t’u nënshkruar në kuadër të sezonit turistik mes policisë çeke dhe asaj shqiptare, Havrankova theksoi se kjo është një nismë e rëndësishme, e cila do të rrisë marrëdhëniet mes dy agjencive./atsh