Këshilli i Ministrave miratoi sot Aktin Normativ “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, ku detajohen masat parandaluese me karakter të përkohshëm në kuadër të forcimit të luftës ndaj organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krime të rënda si dhe procedurat, kompetencat e kriteret për zbatimin e këtyre masave ndaj subjekteve të këtij akti normativ.
Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme.
Masat parandaluese me karakter pasuror të parashikuara në këtë akt normativ nuk vendosen mbi pasurinë që, para hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, është në proces shqyrtimi gjyqësor ose për të cilën është disponuar me vendim gjykate në zbatim të legjislacionit penal, ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë si dhe legjislacionit mbi financimin e terrorizmit.
Subjekte të këtij akti normativ janë:
Personat, që deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ janë dënuar me vendim penal të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të personave për të cilët ka vendim pafajësie, për:
pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga organizata kriminale, banda e armatosur dhe grupi i strukturuar kriminal, të parashikuara nga kreu XI i Kodit Penal;
pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga organizata terroriste e të krimeve për qëllime terroriste, parashikuar nga kreu VII i Kodit Penal;
Sipas këtij akti normativ krijohet Komiteti Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Komiteti kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe ka në përbërje ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Personat e tretë, të cilët rezultojnë pronarë ose bashkëpronarë të aseteve ose pasurive të sekuestruara, brenda afatit 30-ditor të vleftësimit të masës së sekuestros, thirren nga gjykata të ndërhyjnë në proces për të shprehur qëndrimin dhe pretendimet e tyre në lidhje me masën e sekuestros.
Personat e tretë duhet të provojnë se titulli i tyre i pronësisë nuk është i fituar apo i rrjedhur si rezultat i krimit të organizuar, veprimtarisë terroriste apo krimeve të rënda, të përcaktuara në këtë akt normativ.
Masat parandaluese me karakter pasuror do të zbatohen:
Për personat fizikë dhe juridikë të njoftuar nga Komiteti i Sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ose një organ tjetër kompetent ndërkombëtar për të urdhëruar ngrirjen e fondeve ose burimeve ekonomike, kur ka dyshime të arsyeshme për të besuar se fondet ose burimet mund të shpërndahen, të fshihen ose të përdoren për financimin e organizatave ose aktiviteteve terroriste, përfshirë ato ndërkombëtare.
Ndaj pasurive të personave të parashikuar në nenin 5, të këtij akti normativ, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga:
personat e afërm (bashkëshortët, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëjetuesit për periudhën e 5 viteve të fundit) për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta;
personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë nga personat e parashikuar në nenin 5, si subjekte të këtij akti normativ, ose janë përdorur, kanë lehtësuar apo kanë ndikuar në një formë të caktuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme prej tyre. /atsh