Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar të koronavirusit të ri, ndërkohë që vendi ynë ka laboratorë e teste që përcaktojnë praninë ose jo të këtij virusi.
Kështu u shpreh mjeku infeksionist Tritan Kalo i ftuar në një studio televizive, nga ku theksoi se “çdo i sëmurë ose çdo individ qoftë edhe nga ato që kanë udhëtuar në Kinë dhe që kanë ardhur në Shqipëri, nuk janë të përjashtuar të kontaktojnë gripin dhe të shfaqin gripin, jo koronavirusin. Këta njerëz duke ndenjur ne mjedisin familjar, nuk përjashtohen në ato 14 ditë që mendohet se mund të shfaqen edhe simptomat klinike, të bien në kontakt me gripin që qarkullon”.
“Është vështirë të thuash që këta që infektohen ose këta që vijnë të infektuar në shërbimi e sëmundjeve infektive janë të prekur nga koronavirusi. Pa u izoluar dhe pa u përcaktuar prania e tij,nuk mund të jepet asgjë. Ne, hë për hë nuk kemi asnjë rast i cili është përcaktuar ose izoluar koronavirusi i ri në përmbajtjen e sekrecioneve ose në gjak. Ka laboratorë të mirëpërcaktuar ose laboratorë të referencës në Institutin e Shëndetit Publik që përcakton mire me testet që ka, përcakton praninë ose jo të këtij virusi në organizmin tonë. Janë teste që bëjnë diagnostikimin”, u shpreh ai.
Më tej, mjeku informoi se koronavirusi është virus i ri i një familjeje të vjetër.
“Virusi është virus njëlloj, nuk do ndonjë veçanti të madhe njohja. Është një virus i ri i një familje të vjetër që njihet që nga 1960, qarkullon si grip ose probleme më shumë tek kafshët. Ka dhënë dy epidemi si të Sarsit ku ka pasur edhe raste kufitare në Shqipëri, 4 në Itali dhe 1 në Rumani por që asnjë prej tyre nuk ka pasur vdekje. Asnjë i sëmurë me SARS i diagnostikuar në Europë ose në Kanada ku ka pasur një numër të madh rastesh, nuk ka pasur mortalitet”, -shpjegoi ai.
Doktori u shpreh se këtyre njerëzve që kthehen nga Kina fillimisht i është bërë skrinimi në Shangai, më pas në ndalesën që kanë bërë në Abu-Dabi, skrinimi i tretë është bërë në Athinë para se të hyjnë në Shqipëri. “Pra, kanë kaluar 3 filtra dhe kanë marrë informacion mjaft që të mund të kenë parasysh që në të gjithë botën nuk i kanë karantinojnë në mjediset spitalore”.
Sipas doktorit, Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën taktikë siç po ndjek Anglia e Kanadaja ku individët e ardhur nga Kina qëndrojnë për 14 ditë për skrining, për të shmangur çdo indicje të mundshme.
“Shërbimi i Urgjencës po trajnohet që të këtë kujdes në mënyrën e vajtjes, pritjes, diagnostikimit, të transportimit dhe sjelljes së shërbimit të sëmundjeve infektive”, -tha ndër të tjera ai./atsh