Ministrja e Kulturës Elva Margariti përkujtoi sot aktorin e mirënjohur Skënder Sallaku në 85-vjetorin e lindjes.
“Është e pamundur të mos buzëqeshim sa herë kujtojmë aktorin Skënder Sallaku”, u shpreh Margariti.
“Edhe sot, në 85-vjetorin e lindjes së tij, sjellim në mendje kaq shumë role që kanë lënë gjurmë në komedinë shqiptare, kaq shumë batuta që mbeten të pavdekshme”, tha Margariti.
Skënder Sallaku lindi më 25 janar 1935 Tiranë dhe u nda nga jeta më 11 shkurt 2014.
Ai ishte një nga aktorët tanë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish.
Sallaku mbaroi Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe kreu një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit.
Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.
Skënder Sallaku është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”. /atsh