Loading...

100 vjet parlamentarizëm/ Ceremonia në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur

“Në Lushnjë nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare”, deklaroi sot kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës.

Në këtë veprimtari, me të cilën nisi kremtimi i kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare, morën pjesë deputetë dhe ish- deputetë, ish-drejtues të Kuvendit, trashëgimtarë të protagonistëve, delegatëve, deputetëve, ministrave e shtetarëve që zgjodhi Kongresi i Lushnjes, autoritete lokale dhe mijëra qytetarë.

Pas fjalës së mirëseardhjes së kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe, përshëndeti kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Rrallë gjendet në histori një shtëpi me kaq kontribute në historinë e një vendi”, tha Ruçi.

“Shteti i shqiptarëve deri në shpalljen e pavarësisë, kishte qenë një planet i largët për shqiptarët. Por edhe pas shpalljes së pavarësisë, shteti rrezikonte të zhdukej e bashkë me të edhe Shqipëria”, theksoi ai.

“Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi diplomacia shqiptare në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi ndërtimi i administratës shqiptare, arsimit, shkollave dhe forcave të rendit”, nënvizoi kreu i Kuvendit.

“Kjo shtëpi dhe ky Kongres u vunë në dispozicion të mbrojtjes së Shqipërisë dhe u shndërruan në një shtëpi e kongres historik, për arsye të vendimeve që u morën. Kongresi i Lushnjës pati një rrezatim kombëtar e popullor, u prit me entuziazëm e besim prej shqiptarëve dhe u bë sintetizues dhe gjenerues i energjive të kombit”, tha Ruçi.

Sipas tij, në vitet e para të jetës parlamentare çelën filizat e parë të pluralizmit demokratik.

“Sot, një shekull pas kësaj vepre themeltare për kombin dhe shtetin shqiptar, le të shprehim mirënjohjen tonëpër veprën monumentale të delegatëve të Kongresit të Lushnjës, burrave që përfaqësuan krahinat e Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Lushnjës, Fierit, Dibrës, Matit, Durrësit, Shijakut, Kavajës, Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Dumresë e Sulovës, Gjirokastrës, Libohovës, Përmetit e Këlcyrës, Delvinës, Tepelenës, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Leskovikut, Hasit e Lumës, Gjakovës, Gashit dhe Shkodrës. Vizioni, vendosmëria dhe kontributi i tyre e bënë Shqipërinë me Parlament.

Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër që nuk do të harrohet edhe deputetëve të parë të Shqipërisë, të caktuar nga Kongresi i Lushnjës. Këta u bënë legjionarët e parlamentarizmit shqiptar dhe për këtë fakt historik kombi dhe historia do tu jenë përjetë mirënjohës”, nënvizoi në përshëndetjen e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjes, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjës që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921)./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com