Ulja në një tryezë për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike, por një dakordësi për të krijuar rregullat e lojës, që sipas saj janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi sot Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Në një intervistë televizive, Kryemadhi u shpreh se, “dakordësia u arrit pas ndihmës nga ndërkombëtarët, veçanërisht rolit të ambasadorit britanik në vendin tonë, Duncan Norman”.
Kryemadhi u shpreh se ambasadori Norman “krijoi infrastrukturën e takimit”.
Kryemadhi gjithashtu falenderoi edhe përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se mazhoranca u ul pas presionit nga SHBA dhe BE.
Kryemadhi theksoi se, dakordësia për miratimin me konsensus të reformës zgjedhore, si një nga kushtet e Bundestagut për integrimin e Shqipërisë në BE, është bërë shumë më herët.
Ajo tha se ishte vendosur që zgjedhorja të miratohej në Kuvend në dhjetor, në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar.
Ajo tha se miratimi i reformës zgjedhore u shty me argumentin nga ana e mazhorancës se Kuvendi nuk mund të votojë një reformë të tillë në kushtet kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.
“Mos harroni që Rama mjafton të shtyjë dhe të fitojë sekonda: Shpalli gjendjen e emergjencës deri në mars. Reforma zgjedhore duhej të ishte miratuar në dhjetor, sepse kështu ishte dakordësimi edhe me SHBA, edhe me BE, por duke shpallur gjendjen e emergjencës parlamenti nuk mund të miratojë kod zgjedhor, ky ka qenë justifikimi nga ta. Ne si opozitë mbarojmë të gjitha detyrimet tona, sepse deri tani ky njeri mbante peng vendin me justifikimet që opozita nuk bëhet pjesë”, tha Kryemadhi./atsh