Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920.
Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.
Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në Lushnjë dhe Tiranë.
Kështu kalendari i aktiviteteve për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar parashikon mbajtjen e ceremonisë në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në orën 9:30, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ndërkohë në Tiranë në orën 11:30-12:00 do të bëhet çelja e Ekspozitës dhe shfaqja e Dokumentarit “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” ne Pallatin e Kongreseve, holli para sallës së Albanologjisë.
Ndërsa në 21 janar, ora 12:00-13:30 do të mbahet Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”, në Pallatin e Kongreseve, salla e Albanologjisë.
Aktivitetet vijojnë edhe në datën 22 janar, ora 10:00-20:00 me Ditët e Hapura te salla e seancave.
Ndërsa në datë 23 janar, ora 11:00 do të jetë faza finale e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës dhe Lushnjës për interpretimin e fjalimeve të përzgjedhura parlamentare.
Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina./atsh