Loading...

Rezultatet në “PISA 2018”/ Shqiptarët i japin vlerë shkollës më shumë se vendet e rajonit

Sipas përfundimeve që demonstroi Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2018”, 87% e nxënësve shqiptarë “ndjejnë se i përkasin shkollës” – shifër kjo krahasimisht më e lartë se vendet e tjera të rajonit.

Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka publikuar disa të dhëna sipas gjetjeve të “PISA 2018” ku thuhet se 65% e nxënësve në Shqipëri presin të përfundojnë një diplomë shkencore, ndërkohë që 75% e nxënësve që janë ekselentë të paktën në një fushë të “PISA”, aspirojnë të përfundojnë “Master Shkencor” ose “Doktoraturë”.

MASR nënvizon gjithashtu se nxënësit me ndjenjë të lartë përkatësie ndaj shkollës janë mbi 1 vit shkollor më të avancuar sesa nxënësit me ndjenjë më të ulët përkatësie.

“Nga mënyra se si vlerësohet nxënësi në këtë lloj testimi përmes pikëve (60 pikë=2 vite shkollore), rezulton se nxënësit me ndjenjë më të lartë përkatësie ndaj shkollës, në lexim, matematikë dhe shkencë kanë marrë mbi 30 pikë më shumë sesa nxënësit që ndjenjën e përkatësisë ndaj shkollës e kanë më të ulët”, thekson MASR.

“Kjo do të thotë se në aplikimin e njohurive të marra, ata nxënës që “shkojnë me qejf” në shkollë janë mbi 1 vit shkollor më përpara. Fatmirësisht, 87% e nxënësve shqiptarë ndjejnë se i përkasin shkollës”, përfundon MASR./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com