Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, njëherazi bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari deklaroi sot se reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota.
Duke folur në seancën plenare sot ajo tha se, “në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme politike si dhe një vendim që kishte të bënte me të ardhmen e vendit tonë, për të ndaluar copëtimin e tij. Kjo ngjarje e rëndësishme na bën të reflektojmë për vitin që kaluam, një vit mjaft i vështirë për politikën në vend. Angazhimi ynë në parlament ka qenë kyç dhe i ka shërbyer vendit”.
“Pavarësisht përbaltjes për të delegjitimuar këtë Kuvend, puna jonë po vijon të japë frytet e saj. Besoj se i kemi shërbyer vendit tonë. Disa cinikë vazhdojnë ta paragjykojnë këtë vendim tonin. Mendoj se dalja nga kjo krizë duhet të vijë përmes reformave, si ajo në drejtësi si dhe ajo zgjedhore. Angazhimi ynë si deputetë në Kuvend dhe Komisione ka qenë pikërisht që ne të hapim debatin e madh për ndryshimin e sistemit. Unë dua të falenderoj të gjithë, përfshijë këtu edhe opozitën parlamentare”, tha Hajdari.
“Kjo reformë nëse mbështet nga SHBA dhe BE, nuk duhet të mbetet peng në retorikë dhe të kthehet në alibi për një pazar të radhës. Ajo duhet të kthejë besimin te vota”, theksoi Hajdari.
Hajdari ka shpjeguar edhe uljen ne tryezën për reformën zgjedhore.
“Dua të shpjegoj pse u ula në atë tryezë. Dua të garantoj që ajo reformë të mos abuzojë me besimin e shqiptarëve që ata të jenë në gjendje të zgjedhin dhe jo të votojnë. Ne nuk do bëhem bllokues për integrimin e vendit por nuk do lejojmë që kjo reformë të kthehet në pazar. Angazhimi ynë do të jetë në funksion të kësaj axhende dhe në bashkëpunim me BE dhe SHBA do i japim formën e duhur. Shqiptarët po përjetojnë një krizë të thellë mendimi dhe besimi. Zhvillimi ekonomik vijon të mbetet peng i krizës politike”, tha Hajdari.
“Reforma Zgjedhore duhet të bazohet tek vullneti për t’i dhënë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur, duke e theksuar ndoshta edhe përmes një referendumi”, u shpreh Hajdari.
“Shqiptarët kanë pritshmëri të larta dhe duhet t’i japim besimin institucioneve ashtu si shqiptarët e meritojnë, që të ndalim njëherë e mirë emigracionin. Dua t’i kujtoj shqiptarëve që e drejta e tyre në parlament të rikthejë besimin”, tha Hajdari./atsh