INSTAT bën të ditur se, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në fund të vitit të kaluar rezultoi 1,4%, ndërsa mesatarja në BE ishte 1,6%.
Sipas INSTAT, rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve, për dhjetorin dhe për gjithë vitin 2019 në përgjithësi, ka ardhur kryesisht nga grupi i ushqimeve. Për dhjetorin, ky grup kontribuoi me 1,2 %.
Ecuria e indeksit të harmonizuar vitin e kaluar ka qenë në linjë me indeksin kombëtar të çmimeve të konsumit, që përfaqëson edhe normën zyrtare të inflacionit. Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit./atsh