Loading...

Meta vlerëson aktorin Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e njohur Petrit Malaj, i cili ka interpretuar në mbi 20 filma artistikë, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij.

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në institucionin e kreut të shtetit, ku merrnin pjesë aktorë, regjisorë, profesorë e pedagogë të Universitetit të Arteve dhe personalitete të artit, Presidenti Meta i dorëzoi aktorit Malaj titullin me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Duke i dorëzuar aktorit Malaj vlerësimin e lartë, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve. Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë. Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si: “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker” e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha”, – theksoi Meta.

Kreu i shtetit tha se “Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar. Figura ikonike të ekranit dhe teatrit, të cilët janë krenaria e artit shqiptar si: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar”.

“Interpretimi pranë këtyre figurave të skenës dhe filmit shqiptar, fillimisht si student i disave prej tyre, e më pas si profesionist, bëri që, me eksperiencën e tij të krijonte një profil të spikatur si aktor”, – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Sipas tij, e larmishme sigurisht është edhe karriera e tij pranë institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve.

“Me krijimtarinë e tij, punën pedagogjike dhe drejtuese në Universitetin e Arteve, Petrit Malaj është pjesë e kontributit shumëvjeçar të brezave të shumtë të aktorëve, pedagogëve e studentëve për artin shqiptar. Shkolla e artit shqiptar ka patur dhe ka personalitete të spikatura e të shquara, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer për ta çuar atë në nivele të larta. Petrit Malaj është njëri prej tyre”-, tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “nisur nga ajo çfarë Petrit Malaj na ka afruar me figurat e interpretuara në skenë dhe ekran, si dhe me punën e tij pedagogjike, ai ka krijuar një portret tejet të veçantë dhe interesant, i cili përherë ka ardhur tek ne duke promovuar energji pozitive e duke na dhënë sidomos në ekran, figura plot emocion”.

Meta i uroi aktorit Malaj suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike, i bindur se ai dhe brezi i artistëve të cilit i përket, janë shembull për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë ekranin dhe skenat shqiptare e ndërkombëtare./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com