“Shpresoj shumë të mbajë koha e të na lejojë ta përfundojmë këtë vizitë me një udhëtim drejt Ukrainës Lindore, ku dua të shoh me sytë e mi situatën e sigurisë dhe atë humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Ukrainë, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystaiko, Rama deklaroi se në udhëtimin drejt Ukrainës Lindore do të shikojë po ashtu dhe ndikimin praktik në terren të Misionit Special të Monitorimit”.
Vizitën e tij të parë zyrtare si President i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama e zhvilloi sot në Ukrainë, dhe kjo sipas tij, “reflekton rëndësinë e madhe që i jep adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës”./atsh