Kryeministri Oleksiï Gontcharouk njoftoi sot se kishte dhënë dorëheqjen pas shpërndarjes së deklaratave, që iu atribuan atij, ku ai kritikonte presidentin Volodymyr Zelensky.
“Për të larguar çdo dyshim në lidhje me respektin dhe besimin tonë për presidentin, unë shkrova një letër dorëheqjeje dhe ia dërgova presidentit Zelensky”, shkroi ai në faqen e tij në Facebook.
Gjatë javës u publikuan disa regjistrime, që u paraqitën si të ardhura nga një takim joformal i mbajtur më 16 dhjetor midis ministrave dhe zyrtarëve të Bankës Qendrore.
Sipas medieve ukrainase, pjesëmarrësit diskutuan se si t’i shpjegonin vendimet e tyre ekonomike presidentit Zelensky, një ish-aktor, një rishtar politik, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në prill.
Sipas regjistrimeve, Oleksiï Gontcharouk thoshte se shpjegimet duhet të ishin të thjeshta, sepse Zelensky ka një kuptim vërtet primitiv të ekonomisë.
“Nuk është e vërtetë. Unë erdha në këtë post për të aplikuar programin e presidentit”, u shpreh Gontcharouk.
Presidenca konfirmoi se e kishte marrë letrën e tij të dorëheqjes dhe se do ta shqyrtonte atë./atsh