Loading...

Majko në Samitin e Grave të Biznesit: Rrjet bashkëpunimi mes tyre, protagoniste brenda dhe jashtë vendit

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi sot se “gratë janë motori kryesor i ekonomisë shqiptare, si konsumatore, menaxhere dhe drejtuese”.

Në fjalën e mbajtur në Samitin e Grave të Biznesit, Majko tha se “takimi i sotëm është një pohim jo vetëm ekonomik, por edhe social sa i përket shoqërisë sonë”.

“Organizimi i sotëm kërkon të nxisë trajtimin e cilësisë së sipërmarrjes së grave në diasporë”, shtoi ai.

Majko u shpreh se “për herë të parë, në vitin 2013 në raportet ndërkombëtare filloi të vlerësohej ndikimi i grave si sipërmarrëse në ritmin e ekonomisë botërore”. “Sot, sipas raporteve serioze të publikuara në vitin 2019, janë afërsisht 252 milionë gra sipërmarrëse në mbarë botën, nga të cilat 153 milionë drejtojnë sipërmarrje të konsoliduara. Këto janë shifra që tregojnë shumë”, tha ai.

Ministri theksoi se “në Shqipëri, bizneset e vogla dhe të mesme, përbëjnë bazën e ekonomisë kombëtare”. “Rreth 28% e tyre janë sipërmarrje që kanë protagoniste gratë. Shqipëria është ende larg mesatares së Bankës Botërore, por ecuria në vazhdim është pozitive. Jashtë këtij procesi nuk mund të shmanget e pashmangshmja: cilësia e grave të biznesit nga komunitetet shqiptare në diasporë”, shtoi ai.

Majko vlerësoi se “aktiviteti i sotëm është pjesë e një procesi për të krijuar një rrjet bashkëpunimi të grave protagoniste brenda dhe jashtë vendit”.

“Organizmin e Samitit të Grave të Biznesit e konsideroj një fillim. Ai është modest për qëllimin që ka në vetvete dhe vlen të shikohet si një komunikim për kontributin dhe profesionalizmin brenda dhe jashtë vendit, realizuar me përkushtim nga gratë shqiptare. Janë të gjitha rrethanat që sasia të kthehet në cilësi. Ju i keni mundësitë dhe jeni në gjendje të ndërtoni një shoqëri shqiptare më të mirë”, theksoi Majko./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com