Loading...

Reforma Zgjedhore/ Përfundon mbledhja e dytë e Këshillit Politik, tashmë nisin punën ekspertët

Ka përfunduar takimi i dytë i tryezës së palëve politike për Reformën Zgjedhore ku është rënë dakord për të vijuar me hartimin e draftit të Reformës Zgjedhore, duke ftuar si të pranishëm përfaqësues të ODIHR.

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri tha se “ne shprehëm vullnetin tonë e mirëpresim të fillojmë menjëherë nga puna”.

“Ditën e hënë Komisioni i Reformës Zgjedhore do t’i dërgojë letër ODIHR për të kërkuar ekspertin ndërkombëtar i cili mund të vijë në Shqipëri në qoftë se është e mundur për të motivuar dhe për të punuar me palët. Nga ana tjetër kërkojmë që nga e hëna e tutje pse jo përditë të fillojmë punë me opozitën dhe ekspertët e tyre bashkuar ekipit politik që të të punojmë me përfaqësuesit e komisionit të Reformës Zgjedhore me qëllim që këtë periudhë dymujore ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale që të japim Kod të ri Zgjedhor. Ky është qëllimi i kësaj tavoline që është një tavolinë informale, dha besimin e saj politik dhe tani roli i mbetet përfaqësuesve politikë të opozitës dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore për ta çuar përpara këtë proces”, – tha ai.

Gjiknuri tha se secila palë vendos prioritetet e saj.

Ndërsa, Bylykbashi tha se dokumenti i kompromisit për fillimin e Reformës Zgjedhore është dokumenti i cili përcakton procedurën për mënyrën sesi eci kjo Reformë Zgjedhore e cila do mbyllet brenda 15 marsit. “Ky këshill i autorizoi përfaqësuesit politik dhe ekspertët që të operojnë me konsensus. Ky konsensus duhet të qëndrojë deri në momentit e miratimit siç është dakordësuar në dokumentin e kompromisit dhe ajo që ne bëmë të ditur qëndrimin e opozitës së bashkuar i cili do të bëhet publik për të gjithë është prioriteti i çështjeve që përputhet 100% me prioritetet që përcakton OSBE/ODIHR”, – tha ai.

“Lufta kundër shitblerjes së votës, presioni mbi zgjedhësit që janë punonjës të administratës, abuzimi i burimeve shtetërore, manipulimi i listave, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, cenimi i sekretit të votës, apo i lirisë së votës. Këto janë ato çështje që reforma duhet t’i trajtojë me prioritet dhe sigurisht do të trajtojë të gjitha çështjet e tjera pa asgjë përjashtim duke patur parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ky dokument do bëhet publik prandaj detyra e e përfaqësuesve politik dhe ekspertëve është të ecin shpejt me gatimin e reformës zgjedhore”, – tha ai.

Në fund të mbledhjes, deputetja dhe bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore Rudina Hajdari, tha se në tryezë nuk është përjashtuar mundësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

“U diskutua fakti që roli ynë kyç në këtë tryezë tregon se ne do vazhdojmë të japim kontributin tonë dhe komisioni do vazhdojë e do ketë rolin e saj lidhur me rolin që çdo përfaqësues ka në atë komision. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese, mundësinë e vetos në produktin final, që do kalohet në parlament. Për ne është e rëndësishme që produkti final duhet të jetë një produkt që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të përfshijë sa më shumë aktorë politikë”, – tha ajo.

Në vijim Hajdari shtoi se “për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus dhe me sa shoh edhe palët tjera kanë filluar të flasin për ndryshim të sistemit, pra nuk është përjashtuar nga tavolina, por po gjithëpranohet nga palët e tjera”.

“Është një gjë për t’u parë. Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Mendoj që hapja e listave do të ishte një gjë shumë pozitive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë. Ju garantoj që tani e tutje do vazhdojmë të takohemi, mbase edhe përditë, pasi duhet bërë një punë shumë intensive”, – tha Hajdari. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com