Është ekstraduar drejt Britanisë së Madhe 24-vjeçari shqiptar, Elton Sefa, i kërkuar nga autoritetet atje për vrasjen e një shtetasi britanik, duke shënuar rastin e parë të esktradimit nga Shqipëria drejt Anglisë, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së ndërsjelltë në 19 korrik të 2018-ës.
Ky arrestim u bë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Interpol Tiranën, autoritetet britanike dhe Ambasadën Britanike në Tiranë, si dhe është mbështetur në Konventën Europiane të Ekstradimit të vitit 1957.
Policia e Shteti sqaron se “ekstradohet në Mbretërinë e Bashkuar shtetasi E. S., 24 vjeç, banues në Durrës. Ekstradimi i këtij shtetasi është bazuar në urdhrin që mban datën 05.01.2018, të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster, Mbretëri e Bashkuar, pasi nga kjo Gjykatë është caktuar masë sigurimi “Arrest në burg “ për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga legjislacioni penal britanik”.
“Ky shtetas ka bërë rekurs ndaj vendimit të lejimit të ekstradimit në shtetin britanik, por Kolegji Penal ka rrëzuar kërkesën e tij dhe është lejuar ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar”, shpjegon Policia e Shtetit. /atsh