Kryeministri Edi Rama përgëzoi sot rikthimin e arsyeshëm në tryezën e dialogut të opozitës jashtëparlamentare për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore.
“Përtej më shumë se një viti të humbur në rrugën e konfliktit të çuar deri në ekstremin e mosarsyes, duhet përgëzuar ky rikthim i arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do integrohen në Ligjin Zgjedhor”, u shpreh Rama.
Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).
Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 marsi 2020./atsh