Loading...

Meningjiti/ Mjeku Harxhi: Nuk ka epidemi, as vend për panik

Mjeku Arjan Harxhi deklaroi sot se nuk ka epidemi të meningokokut në Shqipëri, nuk ka vend për panik, por ka vend për të marrë masa.

Në një intervistë televizive, mjeku Harxhi tha se “nuk ka panik në realitet, edhe vjet ka pasur raste fatale, ka vend që ekspertët, institucionet të shohin fenomene të tilla për të ndryshuar strategjinë e parandalimit, por njerëzimi do ketë dhe do përballet me sëmundje efektive. Problematikat më të mprehta janë me sëmundjet infektive”.

“Jemi dëshmitarë që ka shumë informacion që qarkullon në rrjetet sociale, ka shumë interes, ka ngjallur shqetësim. Ne jemi bombarduar nga telefonatat,miq, të afërm, pacientë. Është e rëndësishme që të jepen informacione edhe në rrjetet sociale dhe të mbështetura në fakte. Bëhet fjalë për një infeksion të rrallë, sëmundje e rrallë fatmirësisht, por kur shfaq shenja klinike është agresive dhe ka risk të lartë për komplikacione të larta dhe vdekshmëri”, – theksoi Harxhi.

Sipas tij, bëhet fjalë për një infeksion nga ky bakter , që gjendet rëndom në persona në formë mbartshmërie, është bakter i njeriut nuk gjendet në kafshë apo ambiente të tjera , gjendet rëndom në përqindje të konsiderueshme 1 në 5 raste deri në 20% persona mund ta kenë ne fytin e tyre dhe në një përqindje shumë të vogël fatmirësisht kjo bakterie jep sëmundje invazive nga meningokoku.

“Dy format janë më të rënda të kësaj sëmundje infeksioni i cipave të trurit meningjiti dhe infeksioni në gjak, që është një formë e rrufeshme me vdekshmëri që shkon në 40-50% në qendra super të specializuara të trajtimit”, tha Harxhi.

Ai u shpreh se “është një sëmundje e rrallë që nuk kursen asnjë moshë dhe e hasim në moshat fëminore 1-5 vjeç dhe në adoleshencë 14-20 vjeç. Ky infeksion ka rrezik për transmetim, përmes spërklave dhe kontakti i ngushtë me personin e infektuar mbart një rrsik”,- nënvizoi Harxhi.

Konkretisht, vijoi ai, nëse i referohemi ISDS, Organizata e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Europë, në 28 shtete të BE, vetëm në 2017 janë 3200 raste nga meningokoku.

“Frekuenca e rasteve është 0.6 raste për 100 mijë banorë. Nuk ka vend për panik, ka vend për të marrë masa. Ky infeksion jep temperaturë, dhimbje koke, të vjella, fotofobi (bezdi nga drita), përgjumje deri në koma dhe ngrirje të qafës. Mjekësia nuk bëhet dot nga studio apo interneti, por bëhet nëpërmjet kontaktit me pacientin. Nëse forma është më fulminante që në momentet e shfaqjes së temperaturës shfaqen brenda pak orësh njollat dhe tregon që kemi me meningokoksemi. Po dolën njollat risku është shumë i lartë. Është ‘helmim’ i gjakut. Nuk ka epidemi prej kësaj këto ditë në Shqipëri, epideminë e kanë hapur në mediet sociale”, tha mjeku Harxhi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com