Loading...

Reforma Zgjedhore/ Bardhi: Vendimet do të merren me konsensus

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike.

“Propaganda është më e ethshme se asnjëherë për të mbuluar thelbin e asaj që u arrit me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, “Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e votave të blera. Vendimet për Reformën Zgjedhore do të merren me konsensus jashtë Parlamentit ilegjitim. Parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike”.

Bardhi shtoi se, “përfaqësimi në tryezën e Reformës Zgjedhore me një nga arkitektët e blerjes së votës është në turpin e PS. Në dorën tonë nuk është të zgjedhim kundërshtarin, por të bëjmë çdo gjë për zbatimin e Reformës Zgjedhore, që çon vendin drejt zgjedhjeve”.

“Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh Bardhi, i cili publikoi edhe kuadrin e bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore.

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com